Njohja zyrtare e minoritetit bullgar si pakicë kombëtare ka shkaktuar përplasje të forta brenda politikës, por ka zgjuar edhe orekse të vjetra të fqinjëve të tjerë. A ka vërtetë minoritet bullgar në Shqipëri? Çfarë loje po luhet?
Për të diskutuar mbi këtë çështje të ftuar në studion e “Top Show” të gazetarit Alban Dudushi kanë qenë:
Bledar Çuçi, relator i draftit “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”;
Klajda Gjosha, deputete e LSI, ish-ministre e Integrimit;
Edit Harxhi, ish-ministre e Jashtme;
Thoma Miço, politikan dhe eksponent i minoritetit grek;
Vasil Sterjovski, eksponent i minoritetit maqedonas;
Fisnik Hoxha, kryetar i Shoqatës “Gora Jonë”.
Dudushi: Zoti Sterjovski: Pse jeni të pakënaqur nga bullgarët?
Sterjovski: Ne s’kemi gjë me bullgarët, por një pakicë e tillë nuk ekziston dhe të vetmit bullgarë në Shqipëri janë punonjësit e ambasadës bullgare në Tiranë. Zonat ku pretendohet se ka pakicë bullgare janë deklaruar maqedonas. Ato i përkasin komunitetit maqedonas sepse janë në kufi me Maqedoninë. Bullgarët nuk janë hedhur me parashutë.
Dudushi: Ju jeni maqedonas, por ka dhe bullgarë – thotë ligji…
Sterjovski: Ky vendim nuk është në interesin e shtetit shqiptar. sepse njohja e minoritetit bullgar është një kërkesë 104-vjeçare, sepse Bullgaria ka ngelur në shekullin XIX dhe kërkojnë Bullgarinë e Madhe. Synojnë të ndajnë Maqedoninë dhe të krijojnë Bullgarinë e Madhe.
Dudushi: Fisnik, cilat ishin faktet tuaja?
Hoxha: Dokumentat thonë që ka rreth 11 mijë bullgarë në Shqipëri. Nëse futemi në fakte historike, dicka tjetër është vetëdeklarimi që merret për bazë.
Dudushi: Po ti çfarë je?
Hoxha: Një i largët nga Bullgaria ka thënë se unë ndihesha në Shqipëri si në fshatin tim. Këngët që këndoheshin atje janë të njëjtat që këndohen në dasmat bullgare.
Dudushi: Por mbiemri juaj është Hoxha, nuk është bullgar…
Hoxha: Mbiemri im është objekt ndryshimi ndër vite. Më parë e kam pasur Llukovi.
Dudushi: Ju flisni bullgarisht?
Hoxha: Është një dialekt i gjuhës bullgare. Edhe në Prespë, edhe në Gorë nëse ka njerëz që duan të ndihen maqedonas unë nuk i pengoj, aq më tepër nëse më paraqet fakte historike.
Dudushi: Ka një spekulim se ju doni të jeni bullgarë që të lëvizni me pasaportë bullgare nëpër Europë…
Hoxha: Nuk është kështu. Unë nuk e mendoj dicka të tillë.
Dudushi: Harxhi, çfarë mendimi keni?
Harxhi: Ligji është përgatitur në ‘99 dhe bullgarët nuk kanë qenë minoritet.
Çuçi: Gjithmonë është lënë hapësirë për interpretime, ndërsa këtë herë ne vendosëm për një ligj shterues të minoriteteve në Shqipëri. Është pakicë kombëtare dhe janë futur të gjitha në një kategori. Në vartësi të peshës që zënë në qytete dhe komunitete të ndryshme ka edhe trajtimin preferencial për të pasur sinjalistikë në rrugë, shkolla, etj. Por ato të gjitha quhen pakica kombëtare. Nuk bëhet më diferencimi me pakicën linguistike, që lidhej me shtetin amë. Prandaj tani përdoret një term për të gjithë. Për pjesën maqedonas apo bullgar, ne njohëm një pakicë bullgare sepse ka një grup njerëzish që ndihen të tillë, ka edhe një background historik dhe ne e njohim për t’u garantuar minimumin që i parashikon konventa.
Dudushi: Gjosha?
Gjosha: Ligji është shumë i rëndësishëm dhe duket se Shqipëria po shkon drejt një emancipimi shoqëror sepse ka vetëm pak vende që e kanë bërë këtë. Ne kemi bërë një hap përpara. kam qenë ministre e integrimit kur i kam kërkuar ministrit të Jashtëm hartimin e një ligji të tillë sepse e kërkonte edhe Brukseli. Nga ana morale, sot Shqipëria ka të drejtën të shkojë në ato vende ku ka pakica shqiptare të kërkojë njohjen e tyre. Nga ana tjetër ligji ka disa problematika dhe LSI ka votuar kundër nen për nen. Pjesa e vetëdeklarimit nuk besoj se duhet të mbyllet këtu. Ligji thotë që vetëdeklarimet bazohen në census dhe regjistra publik, por sot kemi pakica që nuk deklarohen fare në census. A mendoni që Shqipëria ka shkuar pak përtej konventës europiane? I kemi bërë këto pyetje në komisione parlamentare dhe duhet t’u japim përgjigje. Shumë prej pakicave nuk do t’i gëzojnë dot të drejtat.
Çuçi: Disa prej të drejtave. Ka kritere të ndryshme.
Gjosha: LSI ka mbajtur një qëndrim kundër sepse ligji ka probleme dhe unë uroj që aktet nënligjore të përpunohen sa më shpejt.
Top Channel