Kufizimi i udhëtimeve, Hauai bllokon urdhrin e Trump

18/10/2017 05:42

Përpjekja e fundit e presidentit amerikan Donald Trump, për të kufizuar udhëtimet për qytetarët nga 8 vende kryesisht myslimane, mori një goditje të re.

Një gjykatës federal bllokoi versionin më të ri të urdhrit të përkohshëm ekzekutiv, përpara se ai të hynte në fuqi këtë javë.

Masat shënjestronin Iranin, Libinë, Sirinë, Jemenin, Somalinë, Çadin, Korenë e Veriut, e gjithashtu disa zyrtarë venezuelianë.

Urdhra të mëhershëm të propozuar nga presidenti amerikan shënjestronin 6 vende me shumicë myslimane, por ato u përmbysën nga Gjykata e Lartë.

Shteti i Hauait sfidoi ligjërisht urdhrin e tretë të Trumpit, i cili do të fillonte të zbatohej të mërkurën. Ai pretendon se, sipas ligjit federal të Emigracionit, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka fuqinë për të implementuar kufizime të tilla.

Sipas gjykatësit Derrick Watson, urdhri ekzekutiv i Trumpit i hap rrugën diskriminimeve mbi bazë të kombësisë. Sipas tij, politikat e reja ishin po aq të mangëta sa paraardhëset. Urdhri i ri kishte disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me ato të propozuara më herët nga presidenti, e sipas Shtëpisë së Bardhë bazohej në një rishikim botëror të protokolleve të sigurisë dhe ndarjes së informacioneve.

Në radhë të parë nuk bëhej fjalë për ndalime të përkohshme, por për një bllokim të hyrjeve pa limite kohore. Urdhrat e mëparshëm kishin një kohëzgjatje prej 90 ditësh. Edhe shtetet Uashington, Massachusets, Kaliforni, Oregon, Nju Jork dhe Maryland po përpiqen gjithashtu të bllokojnë urdhrin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA