Këngëtari dhunues përfundon në kopertinë

18/10/2017 00:55

Kritikave që vërshuan menjëherë pasi nxori në kopertinën e saj yllin e “rock”-ut, Bertrand Cantat, revista muzikore franceze “Les Inrockuptibles” iu përgjigj me një deklaratë ku e përshkruante zgjedhjen e bërë si “të diskutueshme”, e përcillte keqardhjen më të sinqertë për të gjithë personat e lënduar nga veprimi i saj.

Cantat rrahu për vdekje vite më parë të dashurën e tij, Marie Trintignant. Ngjarja ndodhi korrikun e 2003-shit në Vilnius të Lituanisë.

Aktorja bukuroshe u grind me Bertrand, asokohe udhëheqës i grupit të “rock”-ut, “Noir Dèsir”. I dehur, ai e goditi 19 herë me grushta në fytyrë e në koke dhe nuk kërkoi ndihmë, por e la ashtu deri ditën tjetër, kur Maria u dërgua në spital me dëme cerebrale e nuk arriti të mbijetonte.

Një dekadë e gjysmë më vonë, njeriu që e vrau përfundon në kopertinë dhe Franca indinjohet.

Revista “Elle” u përgjigj me një editorial homazh për Trintignant, titulli kryesor i të cilit ishte “Në emër të Marisë”. “Fjalët e këtij shkrimi, – thuhet aty, – janë për të gjitha gratë viktima të dhunës së burrave”.

Cantat u lirua nga burgu në vitin 2007 dhe tani po përpiqet të rindërtojë karrierën e tij muzikore me një album të ri “solo”. “Les Inrockuptibles” u shfajësua, duke thënë se e ka mbuluar aktivitetin e tij që në vitet 1980, e se shkrimi i referohej grupit të vjetër të këngëtarit, “Noir Dèsir”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA