Programi i njohur italian “Le Iene” mbrëmjen e së martës foli shqip. Gazetarët e emisionit investigativo-satirik ndoqën nga afër absurdin që ndodh në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë për çamët.
Pasi bën një përmbledhje të shkurtër sesi Çamëria përfundoi në Greqi dhe masakrave të ndodhura pas Luftës së Dytë Botërore, gazetari i emisionit udhëton drejt Shqipërisë, ku takon Avdyl Sulejmanin, një i moshuar i lindur në fshatin Varfanj e i dëbuar 73 vite më parë nga ai që sot grekët e quajnë Parapotamos.
“Mund të duket çmenduri, por formalisht sot, Greqia është në gjendje lufte me Shqipërinë. Në thelb, kjo gjendje e bën të pamundur për këdo që të kërkojë të drejtën e pronësisë”, thotë gazetari italian.
Për t’u siguruar që gjithçka ishte e vërtetë, me kamerën e fshehtë “Le Iene” udhëtojnë drejt doganës së Qafë-Botës bashkë me Sulejmanin.
“Greqia nuk e njeh këtë pasaportë. Problemi është që Greqia nuk njeh emrin që ndodhet në këtë pasaportë”, i përgjigjet doganieri grek, duke e kthyer pas.
“Problemi është që për grekët ky vend nuk ekziston, ose më saktë, ekziston por quhet Parapotamos dhe meqë në pasaportën e Sulejmanit është me emrin shqiptar, e quan dokumentin të pavlerë dhe nuk e lejon që të hyjë në Greqi”, ironizojnë “Le Iene”.
Gazetari i emisionit italian nuk dorëzohet dhe bashkë me Sulejmanin udhëton drejt Italisë dhe prej andej me traget drejt Greqisë. Këtë herë kalojnë pa kontrolle dhe udhëtojnë drejt Varfanjit, ose Parapotamosit, sipas grekëve.
Aty Sulejmani dhe gazetari italian takojnë një banor vendas dhe më pas udhëton drejt vendit ku dikur ishte shtëpia e tij. Dikush po kryente riparime në të njëtjën shtëpi dhe pikërisht në këtë moment dy persona të veshur civilë u afrohen dhe me gjuhë kërcënuese i kërkojnë operatorit që të mos filmojë dhe më pas u sekuestrojnë dokumentet e identifikimit e u kërkojnë që t’i shoqërojnë për në stacionin e policisë.
Brenda stacionit të policisë nuk iu lejua që të filmojnë, por grupi italian i xhirimit mundi të sigurojë një inçizim audio, nga ku iu komunikua që të largohen menjëherë drejt kufirit me Shqipërinë pa asnjë ndalesë rrugës.
Ky urdhër u shkel nga grupi i “Le Iene” që gjatë rrugës bën një kthesë të fundit drejt Varfanjit, që Avdyli të shihte i përlotur për herë të fundit shtëpinë e tij të lindjes.
“Tani mund të vdes i qetë”, ishin fjalët e tij. (Ndiqni videon nga minuta 37:44 duke klikuar KETU)
Top Channel