Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, mori pjesë në Konferencën Kombëtare kundër Trafikimit të Personave, të mbajtur sot në Tiranë në kuadër të Muajit të Luftës kundër Trafikimit të Personave.
Në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari, Ambasadori Bernd Borchardt tha: “Deri më sot, ka pasur përpjekje madhore në Shqipëri për të trajtuar aspektet shumëdimensionale të trafikimit të qenieve njerëzore; për të përmirësuar si legjislacionin dhe politikat, duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve të profesionistëve në nivele të ndryshme. Por ka ende shumë për të bërë.”
Ai shtoi: “Prezenca e OSBE-së është angazhuar në mënyrë aktive për trajtimin e fenomenit të të miturve që punojnë dhe të fëmijëve në situatë rruge. Fatkeqësisht, kemi vënë re raste denoncimesh tek autoritetet ligjzbatuese për fëmijë të shfrytëzuar të cilët nuk janë ndjekur. Këto fëmijë vazhdojnë të jenë nëpër rrugë dhe çka nuk dallohet nga statistikat është dhimbja dhe vuajtja që pëson çdo viktimë e trafikut të qenieve njerëzore. Gjatë dy viteve të fundit, janë trajtuar më shumë se 500 raste të fëmijëve në situatë rruge në të gjithë vendin, por vetëm një numër i vogël trafikuesish dhe shfrytëzuesish janë vendosur pas hekurave.”
Ambasadori Borchardt gjithashtu nënvizoi: “Sot është Dita Evropiane Kundër Trafikimit, e cila përkon me përvjetorin e krijimit të Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Anti-trafik. Më lejoni të përgëzoj personelin e këtyre strehëzave për kontributin e tyre të mrekullueshëm duke ofruar mbështetje dhe ndihmë të pakushtëzuar për viktimat e trafikimit. Puna që keni bërë shërben si frymëzim dhe meriton mbështetjen e secilit prej nesh. Jemi krenarë që para pak vitesh e vlerësuam kontributin tuaj të vyer me Çmimin e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut. E nxisim qeverinë të vazhdojë mbështetjen financiare për këto strehëza. Gjithashtu, nxisim qeverisjen vendore të caktojë fonde buxhetore dhe burime njerëzore të përshtatshme për mbrojtjen sociale të grupeve të personave më të cenueshëm ndaj trafikimit, në mënyrë që të parandalohet trafikimi i qenieve njerëzore brenda dhe jashtë Shqipërisë.”
Top Channel