17 tetori është dita ndërkombëtare kundër varfërisë, dhe kreu i bashkisë së Tiranës ka folur për mbështetjen e shtresave në nevojë nga shkolla “Ardian Klosi” në zonën e Bregut të Lumit.
Veliaj shoqërohej nga përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se arsimi i të rinjve është mënyra më e mirë për të adresuar problemin e varfërisë, ndërsa bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të mbështetur njerëzit në nevojë.
“Në një ditë ku sot mendojmë se si luftohet varfëria, besoj se fokusi tek arsimi është mënyra më e mirë për të adresuar këtë problem. Bashkia e Tiranës ka tashmë një rrjet të qendrave sociale. Dua të falënderoj të gjithë kolegët të cilët punojnë për qendrat sociale, të cilët shërbejnë, shumë prej atyre nga komunitet fetare që janë gjithashtu pjesë e qendrave tona sociale na e kanë bërë më të lehtë punën për zbutjen e varfërisë. Megjithatë, është më mirë që njerëzit të mësojnë se si peshkohet se sa të marrin një peshk. Pra, është shumë e rëndësishme që shërbejmë vaktet falas, por ajo që është më e rëndësishme investimi tek arsimi”, u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se Bashkia do të vijojë mbështetjen e të rinjve përmes bursave apo ofrimit të edukimit profesional për marrjen e një zanati.
“Më vjen mirë që në shumë shkolla si ‘Ardian Klosi’, edhe në shkolla të tjera, fokusin e kemi pasur tek bursat për nxënësit më të mirë, tek gjuhët e huaja dhe unë besoj që një arsim i mirë, një gjuhë e huaj dhe mundësitë për zanat janë ndoshta bileta më e mirë për të dalë nga varfëria”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj.
Bashkia Tiranë ofron një sërë lehtësirash për shtresat më në nevojë të shoqërisë. Çdo muaj trajtohen me pako ushqimore familjet të cilat e kanë të pamundur të sigurojnë ushqimet bazë në tryezat e tyre. Gjithashtu, Bashkia ofron bonus qiraje për familjet që nuk kanë një strehë të tyre. Nëpërmjet politikave të punësimit, janë krijuar alternativa punësimi për çdonjërin të aftë për të punuar, ndërsa është siguruar mbrojtje për të gjithë fëmijët që janë viktima të dhunës dhe urisë. Nëpërmjet qendrave të saj sociale, Bashkia Tiranë mundëson një vakt të ngrohtë për gjithë ata që nuk e sigurojnë dot.
Top Channel