Dhjetëra invalidë protestuan për mbylljen e derës së godinës së shoqatës së tyre, ku zhvillonin fizioterapi dhe mbledhje.
“Fiks Fare” dëgjoi denoncimet e invalidëve, të cilët fajësuan për të gjithë situatën, kreun e shoqatës Ndrek Ismaili.
Sipas tyre, ky person ka lidhur me zinxhirë derën e godinës, megjithëse ambientet janë dhënë nga Bashkia e Tiranës. Ata thanë se ka abuzime të mëdha me fondet që jep qeveria.
Sipas tyre, në ambientet e kësaj shoqate zhvillon aktivitet tregtar edhe një person, duke shitur karroca me rrota, nga 900 deri në 1300 euro. Sipas tyre, kjo është e paligjshme, pasi shoqata është e tyre, dhe jo subjekt privat. Invalidët thanë se kanë denoncuar veprimet në polici dhe prokurori, por deri më tani nuk kanë marrë zgjidhje.
Në momentin që ndodheshin para godinës së shoqatës duke protestuar, mbërritën disa punonjës policie. Ata i kërkojnë policëve që t’u hapin derën. Gazetarët e Fiks Fare tentuan të bisedonin me një punonjës policie, duke i kërkuar që të hapë derën, por ai nuk pranoi. Oficeri i policisë tha se nuk është ai kompetenti, ndërsa nuk dha informacion se kush ishte pikërisht ky kompetenti.
Duke mos marrë zgjidhje për problemin e tyre, invalidët u organizuan dhe e zhvendosën protestën e tyre në rrugën kryesore, në afërsi të vendit të quajtur “Kupola”. Pas përplasjeve me punonjës policie, ata mundën që të çajnë rrethimin dhe të dalin në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun në një nga akset më kryesore të Tiranës.
Në vendngjarje mbërritën dhjetëra punonjës policie, madje edhe një oficer. Ky i fundit u tha protestuesve se do të qëndroj me ta deri në zgjidhjen e problemit, madje do të mundësojë edhe hapjen e derës. Pas hezitimeve të para, invalidët protestuan. Shkuan te godina dhe punonjësi i policisë telefonoi kryetarin Ndrek Ismaili. Ky i fundit nuk pranoi të vinte në shoqatë.
Invalidët u organizuan dhe sërish dolën në rrugë, kësaj herë nën prezencën e dhjetëra policëve. Këta të fundit tentuan t’i ndalonin, por nuk ia dolën. Invalidët dolën në rrugë, duke u përplasur ashpër me punonjësit e policisë. Kësaj here, në vendngjarje mbërriti shefi i komisariatit nr.3. Ky i fundit u tha protestuesve se do e zgjidhte ai personalisht. Bllokimi i rrugës zgjati sërish mbi 40 minuta, madje edhe me përplasje fizike. Disa protestues u shtrinë në rrugë.
Shefi i komisariatit i bindi dhe protestuesit shkuan sërish te godina. Ai u tha se do të kontaktonte vetë me Ismailin dhe do mundësonte një ballafaqim. Por, sërish nuk arriti që të gjejë kryetarin e shoqatës. Në fund, invalidët morën vendimin që të presin një javë për të zgjidhur këtë problem, duke iu drejtuan Ministrisë së Financave, Mirëqenies Sociale dhe Policisë së Shtetit për zgjidhjen e problematikës.
Top Channel