Partia e kryeministrit Zoran Zaev, LSDM e konsideron veten fituesen e zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

“Presim që të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, pa dallim rezultati, të kontribuojnë me sjelljen e tyre për ruajtjen e atmosferës së qetë dhe demokratike. Sot fitojnë Maqedonia dhe qytetarët e saj”, deklaroi Aleksandar Kiracivski, në paraqitjen e parë të LSDM-së pas mbylljes së qendrave të votimit.

Socialdemokratët udhëheqin në disa qytete, përfshirë Manastirin, si dhe disa komuna të Shkupit, ndërsa fitoren e ka shpallur edhe në Komunën e Haraçinës, të banuar tërësisht nga shqiptarë.

Optimiste shprehet dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, që gëzon sipas tij avantazhin në thuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Ahmeti shpalli ndërkohë dy fitoret e para, në Kërçovë dhe Pllasnicë.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, thotë se ka epërsi në Strugë. Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, për të cilat ka njoftuar dhe organet përgjegjëse, me qëllim procedimin e mëtejshëm.

Për parregullsi u ankua edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski. Procesi zgjedhor për zgjedhjen e pushtetit të ri lokal u zhvillua në 80 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka 10 komuna.

Pjesëmarrja më e ulët në votime rezulton të jetë shënuar në rajonet me shumicë shqiptare. Gjatë orëve të pasdites u regjistruan dhjetëra incidente, si: fotografimi i fletës së votimit, përpjekje për të votuar për person tjetër, përpjekje për blerje të votave etj.

Këto incidente bënë që procesi të ndërpritet për pak kohë në disa qendra votimi. Në garën për kryetar komunash morën pjesë 260 kandidatë. I gjithë procesi zgjedhor u mbikëqyr nga rreth 5.000 vëzhgues vendorë dhe nga gati 400 monitorues nga misioni i ODIHR-it, si dhe ambasadat e huaja në Shkup, përfshirë atë amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA