Top Story, duhet apo jo ndërtimi në Butrint?

16/10/2017 12:26

Auron Tare thotë se ngritja e një godinë në Parkun Kombëtar të Butrintit duhet menduar mirë dhe se nuk mund të merret si vendim vetëm nga një ministri apo institucion.

Duke folur në Top Story për rastin e ndërtimit në Butrint, Tare thotë se kjo rrezikon të bëhet precedent për të ardhmen dhe të kërcënojë zonat e tjera historike të vendit.

“Ky është precedent për të ardhmen, sepse nuk mund ta marrë një institucion, apo një ministër një vendim të tillë. Nesër mund të vijë një ministër tjetër dhe të thotë se do të ndërtojë diçka tjetër”, deklaroi ai.

Tare thotë se Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve duhet të kenë të tjera prioritete për Butrinit, mes të cilave thotë është edhe guida për vizitorët.

Arkeologu Neritan Ceka thotë se debati për të ndërtuar në zona historike nuk është vetëm në Shqipëri, megjithatë ai vetë thotë se është kundër ndërtimeve në këto site.

“Ky është një diskutim i vjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Të shkosh në Pompei dhe aty nuk ke kafene. Në Shqipëri ky diskutim ka filluar më herët dhe ministrja ka qenë në krahun që nuk duhej ndërtuar dhe unë kam qenë në krahun për t’u ndërtuar, por hapësira për t’u ndërtuar në Butrint është shumë e vogël”, deklaron ai.

Sipas Cekës, në Butrint nuk ndiqet plani i menaxhimit dhe ka kohë që nuk bëhen gërmime dhe restaurime janë të cilësisë së dobët.

Drejtorja e Institutit të Monumenteve, duke iu përgjigjur Neritan Cekës, argumentoi se mungesa e një plani menaxhimi lidhet me mungesën e ligjit për Parkun e Butrintit.

“Plani i menaxhimit nuk është kaluar ende sepse pritet ligji i ri dhe janë të përfshirë një sërë aktorësh”, thotë ajo.

Megjithatë, Dollani deklaron se në Butrint janë bërë disa ndërhyrje emergjente. Ajo përmend 15 projekte, që sipas saj kanë marrë miratimin e UNESCO-s dhe gjithçka është bërë në përputhje me ligjet e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA