Në tryezën për strategjinë e diasporës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë për të arritur qëllimet përfundimtare: regjistrimin e shqiptarëve kudo në botë dhe përfshirjen e tyre në votime.
“Sot kemi një dokument të rëndësishëm si pikënisje për një proces që kemi ambicjen ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses në aspektin më parësor: regjistrimin e plotë të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë”, ka thënë Rama.
Teksa ka falenderuar përfaqësuesit e LSI për praninë e tyre, Rama ka shprehur dëshirën që në tryezat e ardhshme të jenë të pranishëm edhe ata të Partisë Demokratike.
“Sepse kjo është një ndër ato tema që s’ka qasje as majtas as djathtas, por një qasje unifikuese ndërkombëtare”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se asistenca e përfaqësuesve të vendeve mike, të cilët janë përfshirë në këtë tryezë, do të shërbejë për ta çuar edhe më tej këtë proces.
“Ne e konsiderojmë të sotmen si pikënisjen për hartimin e një dokumenti serioz, që është i hapur për sugjerime. Synimi ynë, për përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në qeverisje përmes votës është një arsye që opozita të marrë pjesë në këtë tryezë”, ka shtuar Rama.
Top Channel