Nisjen e një operacioni të gjerë me asistencën e partnerëve të huaj për goditjen e krimit të organizuar dhe burimeve financiare të tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ia përcolli drejtuesve të policisë kriminale.
Sipas burimeve të pranishme në takimin që ministri pati me nëndrejtorët e uniformave blu, Xhafaj ka paralajmëruar masa të ashpra për disa nga oficerët e hetimeve në qarqe.
“Policia të tregohet e fortë me të fortët”, mësohet të jetë shprehur Xhafaj në takim, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm, Haki Çako.
Por një institucion tjetër që pritet të luajë një rol kyç në operacionin që pritet të nisë në nëntor është edhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që u inspektua nga deputetët e komisionit të sigurisë kombëtare.
“Ju më pyesni për ekspertët e huaj, por këtu nuk ka asgjë antikushtetuese. Ata vijnë si çdo herë kur ne kërkojmë asistencë në fusha të ndryshme”, deklaroi deputetja Ermonela Felaj.
Felaj tha po ashtu se ky institucion ka referuar materialet për dhjetëra transferta të dyshimta, mes tyre edhe të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por sipas saj po shihet mundësia e ndërhyrjeve ligjore pasi rastet e konfiskimit janë të pakta.
Top Channel