46 komuna dhe qyteti i Shkupit kanë zgjedhur kryetarët që do ti drejtojnë për katër vitet e ardhshme, ndërsa 34 komuna të tjera do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

LSDM-ja e kryeministri Zoran Zave duket se është fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve, pasi ka siguruar 39 komuna, përfshirë Shkupin dhe shumë zona të tjera që më parë kontrolloheshin nga VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikola Gruesvksi.

Mediat maqedonase raportojnë se një pjesë e fitores së LSDM i atribuohet shqiptarëve që kanë votuar për të në komuna si Haracina.

Ndërkohë, ish-kryeministri Gruevski me partinë e tij kanë marrë në raundin e parë vetëm 3 komuna, një disfatë e thellë pas sundimit 12-vjeçar në vend.

Nga partitë shqiptare, BDI ka siguruar fitoren në dy komuna, kur raportohet se ka marrë nga votat e LSDM në kuadër të një marrëveshje të mëhershme, ndërsa forcat e tjera politike të shqiptarëve shpresojnë tashmë tek raundi i dytë për të arritur diçka.

Rezultatet tregojnë se mes forcave shqiptare do të ketë shumë përballje në balotazh si në rastin e Strugës, ku Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët përballet me Ramiz Merko të BDI-së.

Në Tetovë do të ketë balotazh midis Teuta Arifit të BDI-së dhe Kasam Bilalit të Lëvizjes “Besa”. Zgjedhjet e mbyllura në 46 komuna që në raund të parë përbëjnë një rekord historik për Maqedoninë që prej pavarësisë.

Në të shkuarën shifra më e lartë e arritur në raundin e parë ishte 9. Veç këtij zhvillimi, zgjedhjet në Maqedoni gjithashtu kanë marrë nota pozitive nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata vendas, që e cilësuan procesin të qetë, demokratit dhe të ndershëm.

Balotazhi do të zhvillohet më 29 tetor dhe ndërsa kontrolli politik i shumicës së komunave duket se është vendosur nga LSDM, forcat e tjera do të përpiqen që ta kufizojnë sa më shumë këtë trend dhe të rrisin kreditet e tyre politike.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta