Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është nderuar me çmimin “Lincoln” për përsosmëri në shërbimin publik, në një ceremoni të organizuar për 20-vjetorin e fondacionit “Abraham Lincoln”.
“Jam shumë i përulur që e marr sot këtë çmim. Sa të kem energji do të vazhdoj të përkushtohem për këtë qytet dhe jam i sigurt se të gjithë ju do të na jepni një dorë. Secili prej nesh është mandatuar që në fushën e tij, në komunitetin ku shërben, në kompaninë ku punon, në shkallën apo pallatin ku banon, ka mundësinë që të bëjë mirë. Edhe në ditë si kjo e sotmja, ku po kthejmë mbrapsht filmin e 20 viteve të një historie që na ka lidhur të gjithëve, mendoj se ka kaq shumë gjëra që na bashkojnë, që janë shumë më shumë se sa ato që na ndajnë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e institucioneve arsimore si Qendra Lincoln në edukimin e të rinjve dhe u shpreh se falë kontributit që kanë dhënë institucione të tilla 20 vite më parë, sot në Shqipëri ka një gjeneratë të re drejtuese. Ai bëri thirrje që puna të vijojë me të njëjtin entuziazëm dhe optimizëm edhe në të ardhmen, në mënyrë që Tirana të jetë një qytet edhe më i mirë.
Më herët kreu i bashkisë ishte i pranishëm në “Kids Marathone”, ku morrën pjesë 2300 nxënës nga 82 shkolla të ndryshme.
Top Channel