Mjekët në gjykim vazhdojnë të ushtrojnë profesionin

11/10/2017 00:00

Dy mjekë ortopedë të Spitalit të Traumës në Tiranë janë në gjykim në Gjykatën e Tiranës për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e një pacienti që e kishin operuar.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, dy mjekët e kanë operuar pacientin pasi ai ishte dëmtuar me mjete prerëse në këmbë, por gjatë operacionit ato nuk konstatuan se pacienti kishte prerë edhe arterien kryesore që furnizon këmbën me gjak dhe për rrjedhojë, 2 orë pas operacionit pacienti humbi jetën si pasojë e hemorragjisë.

Edhe pse gjykata ende nuk është shprehur me vendim përfundimtar mbi fajësinë apo pafajësinë e mjekëve, ata vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre, pavarësisht se dyshohen se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vdekjen e një pacienti. Për Urdhrin e Mjekut, një praktikë e tillë është mëse e logjikshme dhe ligjore, pasi nuk mund të pezullohet një mjek vetëm në bazë të dyshimeve.

Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të mjekut, thotë: “Urdhri i mjekut nuk mund të ndërhyjë me pezullim apo heqje të licencës kur çështja është në gjykim në një institucion tjetër, siç është Gjykata Penale, pasi nuk mund të bëjmë gjykime paralele. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të presim vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe në bazë të vendimit të ndërmarrim hapat e mëtejshme të parashikuara në vendim dhe në ligj”.

Ligji penal shqiptar, që nga njëra anë e ngarkon me përgjegjësi mjekun edhe kur pasojat që vijnë në shumë raste mund të jenë për shkak të sistemit shëndetësor apo pajisjeve, po ky ligj nga ana tjetër e lejon mjekun të ushtrojë detyrën edhe kur dyshohet për raste flagrante pakujdesie, duke rrezikuar jetën e pacientëve të tjerë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta