
Ashtu si në institucione të tjera, edhe në AKU, sipas kreut të Qeverise, ka zyrtarë të korruptuar dhe pa aftësitë e duhura për të mbajtur detyrën. Edi Rama prezantoi kreun e ri të AKU Agim Ismaili dhe tha se tani do të vendosen në provë të gjithë drejtuesit e AKU në të gjithë vendin.
“Edhe këtu nga ju ka njerëz që duhet të largohen vetë. Sepse kanë ardhur këtu nga partitë. Është një fushë e minuar nga të 4 anët. Të gjithë drejtorët e AKU do të vendosen në provë. Ata të cilët janë në këto pozicione si rezultat i arsimimit të tyre do të rivihen në provë dhe do të kenë të gjithë kohën për të provuar se mund të qëndrojnë. AKU është një vatër e mbushur me korrupsion e infektuar nga korrupsioni. Ku gjobvënia për qëllime korruptive. Edhe mes jush ka protagonist të këtij korrupsioni”, tha Rama.
Kryeministri dha urdhër që AKU të ndërpresë gjobat, të ndalojë menjëherë therjen e kafshëve në ambiente të hapura dhe të kontrollojë imtësisht licencat dhe kushtet në të cilat veprojnë pikat e therjes.
“Ndalimi i gjobave për sipërmarrësit dhe për njerëzit që tregtojnë normalisht është detyrim i këtyre 100 ditëve, derisa të vendosen standardet. Derisa t’i mbyllet gryka e babëzisë që ka pushtuar AKU me gjobaxhi. Të mbyllen gjobat dhe derdhja e gjakut rrugëve. Duhet të argumentoni shumë fortë gjobën, ndryshe përjashtoheni nga puna. Është e papranushme, institucion gjobash. AKU është institucion standardesh. Nuk është ky qëllimi që është ngritur ky institucion”, u shpreh Kryeministri.
Me reformën në administrate, AKU i bashkëngjitet edhe Shërbimi Veterinar me të cilin do të bashkërëndojnë punën në vijim.
Top Channel