Bashkia kthen në park vendgrumbullimin e plehrave

09/10/2017 00:00

Më parë përdorej si vend i grumbullimit të plehrave, teksa tashmë 11 mijë metra katrorë të saj do të kthehen një park për të moshuar dhe fëmijët, në rrugën “5 Maji”. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për transformimin e kësaj zone, që ndodhet mes rrugëve “Ali Beshiri” dhe “Dervish Luzha”.

“Sot kemi kaluar në një pjesë tjetër të qytetit, ku ka nevojë për gjelbërim. Tani që po i afrohemi stinës së dimrit dhe koha është e përshtatshme për të mbjellë, po i shtrijmë aksionet tona si brenda qytetit në zona urbane si kjo, ashtu edhe në periferi, si te Parku i Liqenit, i Farkës dhe i Kasharit. Sapo kemi pastruar një territor i cili ka qenë një lloj landfilli informal për gjithë zonën e rrugës “5 Maji”. Madje, sa herë kemi organizuar aksione pastrimi, kjo hapësirë ka qenë një nga pikat e nxehta dhe më problematike të qytetit”, tha Veliaj.

Sipas projektit për rikualifikimin e hapësirës, bashkia do të mbjellë qindra pemë të llojeve të ndryshme, si dhe do të vendosjë stola, kosha, ndriçim dhe module të ndryshme për të moshuarit dhe fëmijët.

“Kemi hequr plehrat, po bëjmë gjithë sistemimin e terrenit, ndërsa sot filluam me mbjelljen e 750 pemëve, për t’i shtuar një tjetër park qytetit. Po ta shikoni si hapësirë, do të konsiderohej një park mesatar, pra jo një park i vogël, çka na jep mundësi që të kemi jo vetëm gjelbërim, të kemi ambiente për të moshuarit, kënd lojërash për fëmijët”, theksoi kryebashkiaku.

Por, krahas shtimit të gjelbërimit dhe vendosjes së moduleve të ndryshme, një pjesë e territorit që do të lirohet nga mbetjet, do të shërbejë për ndërtimin e një shkolle të re moderne e pajisur me terrene sportive duke plotësuar të gjitha nevojat e komunitetit të Njësisë 8.  Ndërkohë Veliaj bëri të ditur se në muajt tetor e nëntor nis mbjellja e pemëve në Pyllin Orbital.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA