
Donald Trump, sipas medieve amerikane mund ta braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e garanton ujdinë, atëherë Kongresit do t’i duhet të rivendosë sanksionet ekonomike ndaj regjimit të ajatollahëve.
Trump ka kohë deri më 15 tetor për të marrë një vendim. Kundërshtia e marrëveshjes ka qenë një prej zotimeve kryesore të tij gjatë fushatës presidenciale, vitin e kaluar.
Duke pozuar për fotografët me udhëheqësit ushtarakë të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha vetëm se, kjo ishte “qetësia përpara stuhisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme, por mjaftueshëm sa për të ngritur pyetjen se çfarë nënkuptonte me këtë pohim, duke i dhënë kështu udhë spekulimeve.
Një pjesë e raporteve në shtypin vendas i lidhën komentet e presidentit me tensionet e përflakura me Korenë e Veriut, por “New York Times” shkruan se, persona të informuar shkurtimisht mbi çështjen kanë bindjen që bëhet fjalë për Iranin.
Përpara se të lëshonte “bombën” e radhës, Trump u kishte komunikuar zyrtarëve më të lartë të mbrojtjes se priste prej tyre që në të ardhmen të garantojnë një gamë të gjerë opsionesh ushtarake, me një ritëm shumë më të shpejtë sesa aktualisht.
Rusia këmbëngul se marrëveshja duhet mbrojtur.
“Shpresojmë që kontaktet e vazhdueshme mes vendeve europiane dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar me Uashingtonin, në lidhje me këtë çështje, të mos kenë qenë të kota dhe që vendimi final i presidentit amerikan të jetë i balancuar dhe i mbështetur mbi realitetin”, tha Lavrov.
Teherani këmbëngul se marrëveshja nuk është e negociueshme, por thotë se ajo mund të shpëtohet, nëse partnerët e tjerë, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe Britania zgjedhin të mos tërhiqen.
Top Channel