Nobeli i Paqes, për “ICAN”

06/10/2017 00:00

Shumë mendonin se Nobelin e sivjetshëm të Paqes mund ta merrnin shefi i diplomacisë iraniane, Mohammad Javad Zarif, dhe përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për rolin e luajtur në arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Por Komiteti i çmimit prestigjioz zgjodhi të nderonte organizatën globale që lufton për implementimin e traktatit mbi ndalimin e armëve atomike. I krijuar në Australi e i zyrtarizuar më pas në Vjenë në vitin 2007, grupi numëron sot 468 organizata partnere në 101 vende të ndryshme.

“Jetojmë në një botë, ku rreziku i armëve bërthamore është më i madh nga sa ka qenë për një kohë shumë të gjatë”, tha kryetarja e Komitetit norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, ndërsa shpjegonte arsyet e vendimit të tij.

“Kjo organizatë po e merr çmimin për punën e bërë drejt tërheqjes së vëmendjes ndaj pasojave katastrofike humanitare, që ka përdorimi i çdo arme bërthamore, si dhe për tentativat e tij novatore për të arritur ndalimin e armëve të tilla”, tha Berit Reiss-Andersen, kryetare e Komitetit të Nobelit.

Reiss-Andersen citoi ndër të tjera edhe ngërçin me Korenë e Veriut, ndërsa u bëri thirrje vendeve me arsenale bërthamore të fillojnë negociatat për eliminimin gradual të këtyre armëve. Shumë shpejt erdhi dhe reagimi i nismës për çarmatimin atomik, që u nderua me çmimin prestigjioz.

“Në fillim mendova se mos ishte ndonjë rreng, por ne ndihemi padyshim thellësisht të nderuar. Ky është një homazh gjigant për të mbijetuarit e shpërthimeve bërthamore në Japoni, e për viktimat e testeve atomike në ishujt Marshall, në Kazakistan, Algjeri, Shtetet e Bashkuara, e në mbarë botën”, tha Beatrice Fihn, “ICAN”.

Plot 122 vende e kanë miratuar traktatin e OKB-së për ndalimin e armëve bërthamore, por vendet që zotërojnë armë të tilla, përfshirë Amerikën, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe dhe Francën, nuk ishin pjesë e bisedimeve.

Çmimi kërkon t’i japë një shtysë të re çështjes së çarmatimit nuklear, në kohën e tensioneve në rritje ndërmjet Uashingtonit dhe Penianit, e paqartësisë që rrethon fatin e marrëveshjes së vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, për kufizimin e programit të tij bërthamor.

Top Channel