Madridi akuzon shefin katalanas të policisë

06/10/2017 00:00

Madridi zyrtar po bën të gjitha përpjekjet për të parandaluar shkëputjen e njëanshme të Katalonjës nga Spanja.

Shefi i policisë katalanase, Josep Lluis Trapero u shfaq para një gjykate në kryeqytetin spanjoll me akuzën e rebelimit ndaj shtetit.

Trapero akuzohet se para, gjatë dhe pas referendumit ka mbështetur ata që Madridi zyrtar i quan separatistë.

Josep Lluis Trapero drejton forcën e quajtur “Mossos d’Esquadra”, forcë sigurie e rajonit katalanas, Gjykata e akuzon kreun e kësaj force se gjatë referendumit të 1 tetorit dështoi në mbrojtjen e forcave të policisë kombëtare nga protestuesit.

Policia kombëtare u dërgua në rajon në përpjekje për të ndalur referendumi e njoftuar prej kohësh nga autoritetet e Katalonjës dhe për Madridin ai është i paligjshëm.

Megjithatë, qeveria rajonale katalanase nuk tërhiqet nga vendimi i saj dhe thotë se mund të shpallë pavarësinë e njëanshme brenda pak ditësh.

Organizatorët e referendumit të së dielës që shkoi thonë se pjesëmarrja në të ishte 42 përqind dhe 90 përqind e tyre votuan pro pavarësisë. Megjithatë, rezultati përfundimtar nuk është publikuar, ndërkohë që ka pretendime për një sërë parregullsishë gjatë procesit.

Top Channel