Bankat braktisin Katalunjën

06/10/2017 00:00

Banka e dytë më e madhe në Katalunjë vendosi të largojë zyrat e saj nga rajoni separatist, mes paqartësisë që rrethon ardhmërinë e tij në vazhdën e referendumit të shkëputjes dhe kundërshtisë së palëkundur të Madridit zyrtar.

“Banco de Sabadell” do të zhvendoset në qytetin spanjoll të Alicantes. Vendimi i saj erdhi në kohën kur banka më e madhe e rajonit dhe e treta në vend, “CaixaBank” njoftoi gjithashtu largimin nga Katalunja.

Të dyja këto lëvizje pasqyrojnë nervozizmin e komunitetit të biznesit, në kohën kur marrëdhëniet mes Barcelonës e Madridit vazhdojnë të përkeqësohen. Në përpjekje për t’i bllokuar Parlamentit katalanas shpalljen e pavarësisë, Gjykata Kushtetuese e Spanjës bllokoi seancën e tij të së hënës.

Ajo paralajmëroi se, çdo mbledhje që bie ndesh me këtë vendim do të konsiderohet e pavlefshme, e shtoi se po ta injorojnë urdhrin e saj, krerët parlamentarë mund të shkojnë në gjyq. Qeveria rajonale do të mblidhet për të diskutuar reagimin ndaj këtij vendimi, por deri më tani, përgjithësisht ajo nuk i ka marrë parasysh lëvizjet e gjykatës në fjalë, përfshirë këtu edhe urdhrin e pezullimit të referendumit.

Madridi zyrtar po kalon ditë të vështira, sepse pas referendumit për mëvetësi në Katalunjë, shembullin e saj mund ta ndjekin edhe baskët në veri të Spanjës. Nuk dihet ende nëse separatistët e atjeshëm do të marrin hov nga zhvillimet në Katalunjë, por fakti mbetet që po e ndjekin situatën me shumë vëmendje. “Dy popuj, një luftë” janë disa nga parullat e hedhura prej studentëve në Bilbao, ku shumica e banorëve kërkon të njëjtën gjë: të vendosin vet për pavarësinë.

Top Channel