Madridi nuk pranon negociata me Katalunjën

05/10/2017 00:00

Madridi zyrtar nuk pranon të negociojë mbi asgjë të paligjshme, duke iu referuar kështu referendumit të së dielës, e thotë se nuk do të bjerë prè e shantazheve.

Deklaratave e qeverisë së kryeministrit Mariano Rajoy erdhi menjëherë pas fjalimit të udhëheqësit katalanas, të cilit i kërkohet të tërheqë kërcënimin e shkëputjes së rajonit të pasur autonom.

“Nëse Puigdemont do të flasë, apo të dërgojë negociatorët e tij, e di shumë mirë se ç’duhet të bëjë: t’i kthehet rrugës së ligjit, të cilën ne nuk do ta braktisim kurrë”, thuhet aty.

Njoftimi vjen në kohën kur ushtria spanjolle dërgoi në Katalunjë 15 kamionë të mbushur me pajisje, që do të ndihmojnë 10 mijë agjentët e policisë dhe të Gardës Civile, të ndodhur në zonë prej ditësh.

Puigdemont ia la fjalën e fundit dialogut, edhe pse deklaroi se pavarësia do të bëhet fakt shumë shpejt. Partia e majte “Cup”, një prej 3 forcave më të mëdha mbështetëse të shkëputjes që kanë mazhorancën në Parlamentin katalanas, kërkon të procedohet menjëherë në bazë të nenit 4 të ligjit mbi referendumin, që nuk pranohet nga Madridi.

Puigdemont i vari shpresat te një ndërmjetësim ndërkombëtar, por Europa është tërhequr. Mundësi për kompromis duket se nuk ka më. Një ditë më parë, presidenti i Katalunjës e akuzoi Mbretin Felipe VI për injorimin e qëllimshëm të miliona bashkëqytetarëve të tij.

Puigdemont e konsideron këtë, një moment që kërkon ndërmjetësim, por monarku ka refuzuar ta marrë përsipër rolin e ofruar nga Kushtetuta spanjolle, duke u rreshtuar në krah të qeverisë së Mariano Rajoy.

Top Channel