Kim Jong-un, sipas CIA-s: Çmenduri e rreme

05/10/2017 00:00

Kim Jong-un, sipas CIA-s nuk është aspak i çmendur, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme dhe gatishmërisë për t’u angazhuar në retorika të nxehta, që bëjnë të fryjë erë lufte bërthamore.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, sipas zëvendësdrejtoreshës së Qendrës së Misionit të Koresë pranë Agjencisë Qendrore të Zbulimit, është në fakt një aktor shumë racional.

“Përtej deklaratave agresive, Kim nuk ka asnjë dëshirë reale të përballet me forcat e Komandës së Përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut”, deklaroi  Yong Suk Lee, në konferencën për zbulimin në Uashington, të organizuar nga CIA.

“Zëri i Amerikës” e citon zyrtaren e lartë të inteligjencës amerikane të pohojë se, udhëheqësi i shtetit të izoluar komunist, në thelb dëshiron atë që duan të gjithë sundimtarët autoritarë: të qeverisin për një kohë të gjatë, e të vdesin paqësisht në shtratin e tyre.

Vlerësimi i agjencive të zbulimit bie në kundërshtim me retorikën e presidentit Donald Trump. Në një seri mesazhesh në “Twitter”, shefi i Shtëpisë së Bardhë e quan Kim Jong-un një “njeri të vogël raketash” dhe në një mesazh të postuar muajin e kaluar shkruante se, 33-vjeçari është “padyshim një njeri i çmendur”.

Lee dhe zyrtarë të tjerë të CIA-s ndajnë tjetër bindje. Ata besojnë se ka një “qëllim të caktuar” në mënyrën sesi udhëheqësi i Koresë së Veriut po vepron në skenën botërore.

Top Channel