I akuzuar nga PD, deputeti Gjetani: S’kam qenë kurrë në Itali

05/10/2017 00:00

Partia Demokratike kërkoi verifikimin nga Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të të dhënave të deklaruara për dekriminalizimin për dy deputetë, njëri prej të cilëve Gjetan Gjetani i Partisë Socialiste, zgjedhur në Lezhë.

Sipas deputetëve demokratë, ekzistojnë dyshime se ai ka pasur precedentë penalë në shtetin italian. Por, në vetëdeklarimin e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Gjetan Kol Gjetani shkruan se nuk është i dënuar dhe nuk ka jetuar më shumë se një muaj jashtë vendit. Gjetani thotë se, në të gjithë jetën e tij kishte udhëtuar pak orë në Malin e Zi për turizëm.

“Janë shumë të lehta të verifikohen pretendimet e Partisë Demokratike. Le të kontrollohet sistemi TIMS që funksionon pranë Policisë së Shtetit. Unë nuk kam qenë asnjëherë në Itali, në asnjë shtet të Europës, përjashto Malin e Zi. Kam qenë për një vizitë turistike njëditore prej 10 orësh; kam hyrë në orën 9 në Malin e Zi dhe jam kthyer rreth orës 18. Kam jetuar, jam shkolluar dhe kam punuar në Shqipëri. Jam i hapur të bashkëpunoj me çdo institucion, edhe me PD-në. As emrin nuk e kam ndryshuar ndonjëherë dhe as nuk kam ndërmend ta ndryshoj, këtë emër do të mbaj”, tha Gjetani.

Së bashku me deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Gjetan Kol Gjetani duhet të provojë vërtetësinë e të dhënave të deklaruara. Profesioni i tij është jurist, ai ka qenë oficer policie në Lezhë, e më pas ka punuar si avokat, para se të fitonte mandatin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA