
Çdo 3 tetor përkujtohet bashkimi i dy Gjermanive, ngjarje që solli një erë të re për të gjithë Europën.
Një ceremoni u mbajt edhe në Tiranë, në ambientet e Ambasadës Gjermane, ku diplomatë, politikanë e shumë personalitete e cilësuan këtë ngjarje si të rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë Europën.
“Muri që u shemb në Berlin ribashkoi jo vetëm Gjermaninë, por njëkohësisht edhe nxiti ëndrrat e të gjithë kontinentit për të jetuar në paqe, liri dhe demokraci. Për ne shqiptarët, dita e bashkimit gjerman është pikënisja e projektit më frymëzues, që do të bëhej një ortek i pandalshëm kurajoje, optimizmi dhe shprese i bashkimit tonë me Europën”, tha presidenti Ilir Meta.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz ripërsëriti mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë.
“Shqipëria fsheh potenciale të mëdha ekonomike dhe kam parasysh këtu turizmin, ku falë bukurive të vendit dhe të mirënjohurës mikpritje të shqiptarëve, tërheq dhe u bën përshtypje gjithnjë e më shumë turistëve të huaj. Megjithatë, dua të theksoj se ky sektor, si dhe disa sektorë të tjerë të ekonomisë, është shumë larg çlirimit. Prej sipërmarrjeve gjermane dëgjoj herë pas here se, për të nisur një investim janë me rëndësi prioritare kushtet e përgjithshme që gjejnë këtu. Para së gjithash, siguria ligjore dhe besueshmëria e institucioneve. Në këtë kontekst gëzohem që me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe procesin në nisje të vettingut, Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur”, tha ambasadorja gjermane në Tiranë.
Top Channel