Xhafaj “përgjigjet” me letër, Basha: Qeveria, aleancë me krimin

02/10/2017 00:00

Thuajse njëkohësisht me deklaratat e ambasadorit Donald Lu, të gjithë trupës policore i shkoi një mesazh i shkruar nga ministri i Brendshëm, ku inkurajohen uniformat blu që të vijojnë me përgjegjësi e përkushtim detyrën.

Në kohën kur policia është në qëndër të akuzave, edhe politike pas disa ngjarjeve kriminale, në letrën e hapur që Fatmir Xhafaj u ka dërguar 11 mijë efektivëve flitet edhe për policë të inkriminuar dhe procesin e vetingut.

“Do të duhet të ndajmë nga trupi i shëndetshëm i Policisë së Shtetit çdo gjymtyrë të gangrenizuar, të lidhur me krimin, të vënë në shërbim të tij apo dhe që ka fjetur gjumë përpara krimit. Për këtë arsye, akti im i parë si Ministër i Brendshëm, shënoi nisjen e procesit për organizimin e Vetting-ut për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Pjesë e këtij shërbimi do të jenë vetëm njerëz profesionalisht të aftë dhe me integritet të lartë moral”, shkruan  ministri Xhafaj.

Por për opozitën kjo nuk është mjaft. Ajo thotë se po përgatit një platformë për të luftuar krimin e organizuar, që sipas saj është në aleancë me qeverinë.

“Vendi është në prag të një gremine përsa i përket shtetit ligjor. PD po përgatiti një plan politik e ligjor për të nisur me të gjithë shqiptarët, një luftë që do të ketë vetëm një përfundim: mposhtjen e krimit të organizuar. Fillimisht duhet me mposhtë Edi Ramën. Ti thuash Edi Ramës të luftë krimin e organizuar, do të thotë ti thuash të luftojë veten e vet”, tha Basha.

Edhe LSI reagoi mbi deklaratat e ambasadorit amerikan përmes kreut të grupit parlamentar, Petrit Vasili, i cili tha se Lu u kujdes të mos nominonte vetëm “Kryebanditin”, i cili, sipas tij, dihet se cili është.

“Pasi kryebanditi ka emër dhe është pikërisht ai që nuk i lufton bandat”. deklaroi Vasili, gjithashtu pa e përmendur emrin e tij.

Top Channel