Nis aksioni për pastrimin e akseve kombëtare

02/10/2017 00:00

Nisi në terren aksioni për pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare nga ndërtimet e jashtligjshme.

Autorteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë e Shtetit filluan zbatimin e planit të masave, i cili nisi me aksin i Tiranë-Vorrë, për të vazhduar me akset e tjera.

Tek mbikalimi i Shkozetit, në Durrës, u ndërhy për heqjen e një biznesi që tregetonte lule në një sipërfaqe toke pronë shtetërore. Afërsia e tij me rrugën është burim aksidentesh.

“Përveç objekteve të biznesit si kioska, tabela, etj, të gjitha llojet e aktivteteve që janë në kundërshtim me Kodin Rrugor do të hiqen gjithashtu nga akset rrugore”, deklaroi Afrim Qendro, drejtor i komanduar i ARRSH.

“Paralelesisht po punohet në të gjithë Republikën e Shqipërisë, për të bërë njoftimet përkatëse dhe procedurat ligjore”, tha Dallëndyshe Bici, drejtoreshë e IKMT. Ndërhyrje do të ketë edhe për pikat e karburanteve.

“Do të lajmërohen të gjitha karburantet për t’i hequr tabelat e tyre dhe për t’i vendosur në funksion dhe zbatim të Kodit Rrugor, pasi kështu siç janë shmangin vëmendjen e drejtuesve të mjeteve. Të gjitha karburantet që përdorin natën prozhektorë jashtë standardeve të rrugës duhet t’i heqin”, nënvizoi Qendro.

Qëllimi kryesor i aksionit është ulja e aksidenteve rrugore, që kanë si burim ndërhyrjet e paligjshme në akset kombëtare.

Top Channel