20 vjet Magjistraturë, BE: Mbështetje institucioneve të drejtësisë

02/10/2017 00:00

Romana Vlahutin, ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë përsëriti mbështetjen e ndërkombëtarëve ndaj institucioneve që hetojnë e godasin korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Në muajt në vazhdim do të bëhet rivlerësimi i gati 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve kjo është shumë e rëndësishme për shqiptarët, por edhe jashtë Shqipërisë. Institucionet e reja, në veçanti SPAK-u, do të përballen me sfida. Do ta them qartë dhe me zë të lartë që ne si BE do të mbështesim policinë, Ministrinë e Brendshme dhe prokurorinë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Vlahutin.

Në kohën kur kritikat ndaj gjyqësorit po ashpërsohen gjithmonë e më shumë, pyetja e kryetarit të Gjykatës së Lartë ishte: çfarë ka mbetur nga drejtësia?

“A mund të quhet drejtësi nëse gjykata, duke shfrytëzuar hapësira ligjore jorelevante lë të lirë kriminelë të dënuar për vrasje të shumta dhe lë në burg familjarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike? A mund të quhet drejtësi kur legalizohen qindra pallate të ndërtuara pa leje, ndërsa futet në burg një fshatar që ka ndërtuar në tokën e tij një stallë për bagëtinë apo një depo për veglat e punës?”, deklaroi Xhezair Zaganjori.

“Nuk është aspak tregues pozitiv fakti që disa prej studentëve që Shkolla e Magjistraturës ka nxjerrë kanë treguar mungesë integriteti të figurës së tyre, duke përfshirë lidhje me elementë kriminalë”, tha më tej Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë.

Deklaratat u bënë gjatë ceremonisë së 20-vjetorit për Shkollën e Magjistraturës.

Top Channel