
Ministrja e Kulturës dhe njëkohësisht deputete e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro ishte në Libohovë, ku ka inspektuar nga afër ecurinë e projekteve të “Rilindjes urbane”, që zbatohen në këtë bashki.
Për ministren Kumbaro, në këtë bashki ka një sërë investimesh, të cilat veç përmirësimit të jetës së banorëve, kanë për qëllim edhe tërheqjen e më shumë turistëve.
“Kantieri më i madh është ky që kemi hapur me Bashkinë e Libohovës, që është jo vetëm një kantier i Rilindjes urbane për sa i përket rikualifikimit të qendrës së qytetit, por është gjithashtu i rëndësishëm si një investim që shkon në thellësi të rrjetit inxhinierik e infrastrukturor. Për sezonin e ardhshëm synojmë gjithashtu lehtësimin e shërbimeve për turistët që ne pretendojmë t’ia sjellim Libohovës”, tha Mirela Kumbaro.
Projekti me vlerë rreth 140 milionë lekë parashikon ndryshimin rrënjësor të shëtitores së qytetit të Libohovës, fasadave të godinave përgjatë saj, rregullimin e sipërfaqeve të gjelbërta, kanalizimin e ujërave të zeza e të bardha, si dhe ndriçimin publik.
Top Channel