
Katalunja është sot skenari i një drame me shumë akte, por ajo nuk është e vetme në dëshirën për pavarësi. Në Europë ka disa rajone të tjera, që dëshirojnë shkëputjen nga pushteti qendror, e në një pjesë të tyre nuk kanë munguar as përpjekjet militante, por mundësitë për ta vënë në jetë një pritshmëri të tillë janë të ndryshme.
Në asnjë pjesë tjetër të kontinentit të vjetër, tendenca e separatizmit nuk ka qenë kaq e fortë sa në Katalunjë. Autonomia politike dhe kulturore nuk i mjafton. Katalanasit duan një shtet më vete, e arsyet janë më së shumti ekonomike. Katalunja, sipas vendasve, është rajoni më i pasur i Spanjës.
Baskët i kanë dhënë gjithashtu dhimbje koke Madridit zyrtar. Ata kanë arritur t’i administrojnë vet taksat dhe qeverisë i paguajnë një shumë minimale. Ekonomikisht, ky rajon është më i dobët sesa Katalunja. Organizata e paligjshme baske “ETA” luftoi mbi 50 vite për të arritur shkëputjen nga Madridi, periudhë gjatë të cilës u vranë mbi 800 vetë. Në vitin 2011, ajo hoqi dorë nga dhuna, por as sulmet dhe as bisedimet politike nuk e mundësuan dot atje një referendum.
Shpresa për shkëputje motivon partinë nacionale skoceze në përpjekjet e saj për mëvetësi. Shumica e skocezëve votuan kundër shkëputjes në referendumin e vitit 2014, të lejuar më në fund nga Londra, por tani me “Brexit”-in, fryma separatiste në këtë rajon është ngjallur përsëri.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Belgjikë nxorën aleancën e re flamande të Bart De Wever, si forcën më të madhe politike. De Wever është i bindur se shteti i tërë belg, gjithsesi do të “shpërbëhet” dhe se Flandra, pa Valoninë, do të jetë më mirë ekonomikisht.
Një lëvizje separatiste ka edhe në veri të Italisë, të motivuar thjesht nga ekonomia. Shumë italiano-veriorë besojnë, se Italia e mesme dhe ajo e Jugut konsumojnë paranë e fituar me mund në veri të vendit. Një frymë e ngjashme ushqehet edhe në Tirolin e Jugut, Korsikë dhe në Bavari, që do të preferonte të paguante më pak në arkën e përbashkët.
Top Channel