Terrene të reja sportive, Veliaj: Do heqim ndërtimet pa leje te Liqeni

30/09/2017 00:00

Bashkia e Tiranës po ndërton këndin e tretë të forcës në kodrat e Liqenit, për të gjithë ata që duan të ushtrohen me sporte.

“Jam shumë i lumtur që në prag të Maratonës së Tiranës (15 Tetor) po shtojmë terrenet sportive në qytet. Kjo është një zonë e parkut të liqenit, ku fillimisht u ndërhy për të prishur një pjesë të madhe të kafeneve, pranë universitetit të Gjeologji-Minierave, e cila frekuentohet kryesisht nga sportistët elitarë. Pra, nëse pjesa jugore e parkut është më e frekuentuar nga amatorët, këtu vijnë kryesisht ekipe sportive të cilat bëjnë trajnim profesionist, do të thotë që kanë nevojë për paralele, për mjete të tjera të forcës dhe besoj që zëvendësimi i kafeneve me terrenet sportive është një investim në drejtimin e duhur të Tiranës”, tha Veliaj.

Më 15 tetor zhvillohet Maratona e Tiranës, që ka tërhequr vëmendjen edhe të garuesve të huaj. Janë të paktën 1000 persona nga vende të ndryshme të botës që janë regjistruar.

“Jam shumë entuziast që kemi pasur një rekord të regjistrimeve për Maratonën e Tiranës, vetëm të huaj kemi mbi 1000 vetë që do të vijnë nga Afrika e Largët, Amerika Latine, Europa po e po, por edhe nga Azia. Kjo do të thotë që është inkurajim akoma më i madh për ata vrapues dhe për ata që përqafojnë jetën e shëndetshme në Shqipëri”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj paralajmëroi se do të vazhdojë edhe më tej aksioni për pastrimin e gjithë parkut të liqenit nga ndërtimet pa leje, për t’i kthyer këto hapësira në më shumë gjelbërim për qytetarët. Pas pastrimit në zonën e Gjeologji-Minierave, do të nisë aksioni në pjesën jugore të liqenit të Tiranës: “Aty kemi shumë zona informale, kryesisht të toleruara nga ish-komuna Farkë. U ka ardhur radha atyre. Tani u kërkoj të gjithë atyre që kanë ndërtuar pa leje, në vende ku nuk lejohet, si buza e liqenit dhe buza e zonave të gjelbra të Tiranës, t’i prishin vetë, të largohen vetë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA