
Gjykata rrëzoi kërkesën e Bashkisë së Durrësit për heqjen e sekuestros preventive të pasurisë së paluajtshme ku po kryhet investimi për projektin “Veliera”, ndërsa i tërhoqi vëmendjen organit të akuzës për moszbatimin në kohë të detyrave të lëna nga Gjykata e Apelit për këtë çështje.
“Me vendim të datës 27 mars 2017, Gjykata e Apelit ka lënë disa detyra, por ju nuk i keni lexuar ato, ndryshe do të kishit vepruar më herët. Duhet të kishit ngritur një grup ekspertësh që keni 7 muaj që nuk e bëni dhe nëse do ta kishit bërë, sot do të ishte vendosur në rast të mosdëmtimit të trashëgimisë arkeologjike, ose heqjen e sekuestros. Në të kundërt jo”, deklaroi gjyqtari Petraq Çuri.
“Qëndrimi juaj më duket i paragjykuar dhe tendencioz”, replikoi prokurorja Anita Jella.
Pas ndryshimit të projektit “Veliera”, bazuar në vendimet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe atij të Restaurimeve, Bashkia e Durrësit ka kërkuar heqjen e sekuestros dhe rifillimin e punimeve për zbatimin e projektit të ndryshuar.
Punimet u pezulluan nga gjykata në shkurt të këtij viti, pas denoncimit nga shoqëria civile. Në cilësinë e kërkuesit të hetimit, Sazan Guri kërkoi që ekspertiza të bëhet nga arkeologë ekspertë të pavarur.
Gjykata e rrëzoi kërkesën e bashkisë si të pabazuar në ligj dhe prova dhe i tërhoqi vëmendjen përfaqësueses të akuzës që të jetë e kujdesshme në ngritjen e grupit të ekspertëve për vlerësimin e dëmit të shkaktuar në zonën arkeologjike A, me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit.
Top Channel