Plehrat në Leshnicë, banorët e fshatit përplasen me bashkinë

29/09/2017 00:00

Banorët e fshatit Leshnicë në Pogradec janë kundër ngritjes së një pike depozitimi të plehrave. Emisioni “Fiks Fare” është njohur me denoncimet e banorëve, të cilët kanë deklaruar se nuk janë pyetur fare për këtë ndërtim.

Madje, ata e kanë mësuar vetëm kur në zonë shkuan mjetet e firmës private. Ata kanë deklaruar se vendi ku do të depozitohen plehrat është vetëm 100 metra larg shtëpive.

“Fiks Fare” ka mundësuar përballjen e banorëve me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri. Ky i fundit, në takim ka deklaruar se vendi do të shndërrohet në një shesh me lule, por banorët i kanë quajtur këto premtime përralla.

Denoncimi i banorëve të Leshnicës

Dhjetëra banorë kanë dalë në mes të fshatit Leshnicë, në formë proteste për ngritjen e pikës së depozitimit të mbetjeve. “Ky vend na shqetëson shumë, për fëmijët, për jetën tonë. Është një veprim i gabuar dhe kanë gjetur këtë vend duke menduar që banorët e fshatit janë dhe budallenj”, ka thënë një prej tyre.

Fshati Leshnicë ka 2.500 banorë dhe mbi 300 shtëpi. “Plehrat që do vijnë këtu janë të Pogradecit. Nëse do bëhet ky projekt, ne do ndihmojmë njëri-tjetrin të ikim nga fshati”, ka thënë një banor tjetër.

Një tjetër ka shtuar se punimet kanë filluar prej pak ditësh. “Vetëm kur erdhën këtu e morëm vesh. Nuk kishte as tabelë, asgjë. Nëse do ngrihet një gjë e tillë do leje. Këtu ka vetëm të këqija, asnjëri s’na ka pyetur. S’po kërkojmë as punë, po vetëm të na mbrojnë ajrin. S’është luftë politike”, ka thënë ai.

Ata kanë shtuar se kanë shkuar disa herë në bashki, por nuk janë pritur, se kryetari u ka premtuar mbjelljen e luleve, por në të vërtetë “po u çjerr ajrin”.

“I thamë të ikin më tej, e paguajmë vetë ne. Këtu edhe mbetjet e spitalit do të vijnë. Edhe plehrat e kasaphanës do të vijnë këtu. Këtu e kanë stacionin. Këtu do bëhet skëterrë. Janë 7 komuna që do të vijnë këtu”, kanë thënë banorët.

Nga ana tjetër, disa fëmijë kanë kërkuar që në vendin ku po ndërtohet vendi për depozitimin e plehrave të bëhet një fushë futboli. “Ne nuk duam plehra, duam fushë sporti. Me plehra ndotet ambienti dhe do sëmuremi, me fushë sporti argëtohemi më shumë”, ka thënë një prej tyre.

Në fund të protestës, të gjithë banorët kanë thënë në kor: “Nuk duam plehra, nuk duam plehra, nuk duam plehra!”

Kryeplaku i fshatit: E mora vesh në minutën e fundit

Gazetarët e “Fiks Fare” kanë intervistuar edhe kryeplakun e fshatit Leshnicë, Vladimir Lipo. Ai ka deklaruar se nuk ka ditur gjë, madje e ka mësuar lajmin vetëm para pak ditëve, kur kishte takuar punëtorët që i kishin thënë se do bëhej landfilli.

Gazetarët e “Fiksit” kanë biseduar edhe me një punonjës të firmës “Hastoçi”, Shpëtim Palla, që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij impianti. Ai ka thënë se do procedohet vetëm si grumbullim dhe seleksionim për në landfillin e Maliqit.

“Këtu seleksionohen dhe do shkojnë në Maliq. Mbetjet nuk përbëjnë rrezik. Këtu s’do kenë kohë të rrinë. Brenda 24 orëve do qëndrojnë, më shumë s’bëhet fjalë dhe ikin”, ka thënë Palla.

Gazetarët e kanë pyetur përse nuk ka një tabelë se çfarë do ndërtohet dhe ai është përgjigjur se është një vërejtje me vend dhe se do ta vendosnin shumë shpejt. Megjithatë, punonjësi ka thënë se nuk ka një informacion se sa është vlera e këtij ndërtimi.

Debatet me kryetarin e bashkisë

Gazetarët e “Fiksit” kanë shoqëruar banorët në Bashkinë e Pogradecit, ku janë përballur me kryetari, Eduart Kapri. Ky i fundit u ka thënë banorëve se në Leshnicë nuk do të grumbullohen plehra, por objekti do jetë vetëm një vend tranziti drejt landfillit të Maliqit. Kapri ka deklaruar se vendi do të jetë me bar, lule, asfalt dhe drita.

Megjithatë, banorët kanë insistuar në kërkesën e tyre: Që projekti të mos bëhet! Ata kanë thënë se premtimet për të vendosur lule në atë vend janë vetëm përralla.

Në një moment, kryetari i bashkisë u ka thënë banorëve se studimi për zonën është bërë nga projektues gjermanë, por ata kanë reaguar duke i thënë: “Pse gjermanët do na komandojnë ne?”.

Pas diskutimeve dhe debateve që zgjatën rreth 3 orë, kryetari është “dorëzuar”, ndërsa u ka bërë me dije banorëve se do të shikojnë për një vend të ri.

Nga ana e tyre, banorët kanë thënë se, të gjitha shpenzimet e deritanishme të firmës mund t’i përballonin vetë ata, duke mbledhur lekë të gjithë.

Në fund, gazetarët e “Fiksit” kanë intervistuar kryetarin, i cili ka thënë se nuk i ka lajmëruar banorët për shkak se projekti ka filluar vite më parë, para se ai të merrte detyrën. I pyetur përse afër kantierit nuk kishte një tabelë, kryetari është përgjigjur se firma po sheshon vetëm ambientin.

“Unë do vendos kontaktet me ndërmarrjen, shoqërinë aksionere dhe me financuesit, me qëllim që të shikojmë mundësinë e vendit të propozuar nga banorët”, ka shtuar kryetari Kapri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA