
Presidenti Ilir Meta ishte sot në Berat, ku vizitoi Muzeun e Onufrit. Në fjalën e tij gjatë kësaj vizite, Meta tha se ky qytet do të jetë gjithmonë një nga qendrat më të bukura dhe tërheqëse në vend.
“Sot të gjithë popujt e Europës, për rastësi me Ditën tonë të Kulturës Kombëtare festojnë njëkohësisht edhe Ditën e Trashëgimisë Europiane. Ne shqiptarët ndihemi krenarë përpara historisë së kulturës europiane, pasi historia dhe trashëgimia shqiptare është pjesë dinjitoze e kulturës europiane”, tha Meta.
Presidenti tha se “ndihemi të vetëdijshëm dhe për kulturën, identitietin tonë perëndimor dhe harmonizimin e tyre me ndikimin e kulturave të tjera përreth”.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për Ministrinë e Kulturës dhe Institutit të Monumenteve për punën restauruese të atyre që i quajti “thesare të fjetura” të kulturës sonë, jo vetëm në Berat, por edhe në rrethe të tjera të vendit.
E pranishme në këtë event, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se, “trashëgimia kuturore është njw pasuri e atyre që jetojnë në të”. “Qendrat historike nuk janë për t’u soditur dhe nuk duhet të kemi frikë të jetojmë brenda trashëgimisë kulturore”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se, nën moton “Trashëgimia kulurore, motor zhvillimi”, qeveria ka investuar në turizmin kulturor. “Ne krijuam rrjetin “Miqtë e Monumentit”, sepse trashëgimia kulturore nuk është vetëm pjesë e Ministrisë së Kulturës. Të vegjëlit dhe të rinjtë duhen edukuar me vlerat dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Kumbaro.
Ajo shtoi se, “Berati është një nga 4 qytetet në vend që do të përfitojnë nga projektet e zhvillimit ku përfshihen investime të rëndësishme në zonat historike”.
Top Channel