Xhafaj pranon: Kemi probleme! Po hetojmë “Elbasanin”

28/09/2017 00:00

Më shumë se një javë pas incidentit me policinë në Elbasan, ministri i Brendshëm përmendi për herë të parë emrat e fiseve problematike në këtë qytet.

Fatmir Xhafaj tha se historia e përplasjes së tyre daton që në vitin 2005, ndërsa theksoi se ngjarja e 18 shtatorit po analizohet. Por ai pranoi se në xhirimet e publikuara kishte probleme në sjelljen e policise.

“Kam urdhëruar zhvillimin e një analize të plotë dhe të detajuar të situatës në këtë qytet. Kam urdhëruar drejtuesit kryesorë të hetimit në Policinë e Shtetit, të instalohen dhe fokusohen në Elbasan. Kam kërkuar të analizojnë jo thjesht dhe vetëm ngjarjen e ndodhur, sikurse është pasqyruar në media, e cila ka në vetvete problematikat e saj, por një analizë shumë më të plotë që të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale”, deklaroi ministri i Brendshëm në fjalën e mbajtur në Parlament.

Xhafaj theksoi se verifikime po kryen edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale mbi veprimet dhe mosveprimet e policisë.

“Brenda Policisë së Shtetit ka edhe disa struktura, apo individë të paaftë dhe në ndonjë rast, edhe të lidhur me krimin, ndaj dhe kam urdhëruar dhe një analizë të detajuar”, vijoi Xhafaj.

Xhafaj foli edhe për vetingun në polici si dhe theksoi se aksionet për goditjen e aseteve kriminale do të jenë edhe më të fuqishme në ditët në vijim.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta