
Për herë të parë që nga lindja e medieve private, ato u privuan sot paradite të transmetojnë drejtpërdrejt punimet e Kuvendit të Shqipërisë.
RTSH refuzoi t’u jepte sinjalin e pastër, pa logo, sipas një marrëveshjeje xhentëlmenësh që funksionon prej shumë vitesh.
Sipas rregullores së Kuvendit, vetëm televizioni publik ka të drejtën të transmetojë drejtpërdrejt nga salla e Kuvendit.
Opozita reagoi menjëherë, duke kërkuar ndërprerjen e seancës deri në zgjidhjen e konfliktit. Më pas reagoi televizioni publik, i cili sqaroi se ka hapur një kanal të dedikuar të quajtur “RTSH KUVEND”, ku thuhet se është e gjithë hapësira e nevojshme për transmetim me transparencë të plotë të veprimtarisë kuvendore, e se nuk ka asnjë detyrim ligjor që të japë sinjal për radiot dhe televizionet private.
RTSH sqaron se televizionet private janë njoftuar për këtë ndryshim dhe, nëse duan sinjal, duhet të ndajnë kostot teknike të prodhimit të sinjalit, por Top Channel konfirmon se në zyrat e tij nuk ka mbërritur kurrë një shkresë e tillë.
Më pas ngërçi u kapërcye dhe RTSH u tërhoq nga pozicioni i tij, së paku për momentin. Por më pas, ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Kuvendi duhet të kishte televizionin e vet dhe se nuk mund të pranoheshin dhjetëra kamera në llozhat e tij, shton sinjalet se tashmë ky nuk është një vendim i Thoma Gëllçit, por shkon shumë më lart sesa ai.
Përvoja e një kanali publik që transmeton punimet e Kuvendit, por edhe të komisioneve me transparencë totale, është e njohur si në Amerikë, Britani, apo edhe Itali e Greqi.
Por grupe në mbrojtje të lirisë së shprehjes shohin me shqetësim këto lëvizje të mazhorancës, nga ngritja e “ERTV” e deri te “RTSH KUVEND”, si përpjekje për kontrollin dhe kufizimin e së drejtës kushtetuese për lirinë e informimit.
Top Channel