
Një operacion policor është finalizuar këtë të mërkurë në Berat, që ka çuar në goditjen e dy rasteve të kultivimit të drogës, si dhe në arrestimin e dy personave.
Burime policore bëjnë me dije se uniformat blu, gjatë aksionit të koduar “Agimi” kanë sekuestruar 297 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis, si dhe kanë asgjësuar me anë të djegies 175 rrënjë të së njëjtës bimë.
Lidhur me sasinë e kanabisit është arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasi D.K, i cili e mbante sasinë e drogës në shtëpinë e tij. Ndërsa bimët e asgjësuara janë gjetur në një zonë pyjore të fshatit Gradecë.
Ndërkohë, personi i dytë i arrestuar është shtetasi M.M 26 vjeç dhe i shpallur në kërkim për kultivim narkotikësh, si dhe i dënuar në mungesë nga Gjykata e Vlorës me 3.4 vite burg.
Top Channel