
Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet e Koresë së Veriut, se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë. Zëdhënësja Sarah Sanders e quajti “absurd” një qëndrim të tillë, e iu përgjigj edhe deklaratës së Veriut komunist, sipas së cilës do të qëllonte bombarduesit amerikanë edhe nëse nuk janë në hapësirën e tij ajrore.
“Qëllimi ynë është gjithmonë i njëjti. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë denuklearizimin paqësor të gadishullit korean. Ky është fokusi ynë. Ta realizojmë një gjë të tillë përmes presionit maksimal ekonomik dhe politik, e kjo në këtë pikë është e mundur”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi i Pentagonit, kolonel Robert Manning ishte më i prerë. “Nëse Peniani nuk u jep fund veprimeve provokuese – u shpreh ai, – ne do të sigurohemi që t’i garantojmë presidentit opsionet më të mira të mundshme për t’u përballur me Korenë e Veriut”.
Koreja e Jugut bëri thirrje për mprehtësi kundrejt provokimeve të vazhdueshme të fqinjit të saj verior, e apeloi për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve, ose edhe çdo lloj përplasjeje ushtarake aksidentale në rajon, që mund të dalë jashtë kontrollit.
Reagime pati edhe nga OKB-ja, një zyrtar i së cilës paralajmëroi se egërsia verbale mund të çojë drejt keqkuptimeve shkatërrimtare.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Peniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshirë këtu edhe rrëzimin e avionëve luftarakë amerikanë në rajon.
Ri e lidhi kërcënimin drejtpërdrejt me komentet e Donald Trump të shtunën në “Twitter”. Duke iu përgjigjur fjalimit të kryediplomatik koreano-verior në Kombet e Bashkuara, Trump shkruante:
“Sapo dëgjova ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut të fliste në OKB. Nëse ai u bën jehonë mendimeve të ‘Njeriut Raketë’, ata nuk do ta kenë shumë të gjatë”.
Top Channel