Qeveria e re gjermane, Merkel do të negociojë me liberalët

26/09/2017 00:00

Angela Merkel duhet të ulet në tryezë e të negociojë kushtet e liberalëve dhe të të gjelbërve për hyrjen në koalicion, por kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker nuk pret ndonjë ndryshim madhor të kursit në Berlin.

“Gjermania ka qenë e do të mbetet spiranca e stabilitetit të bllokut europian nën zonjën Merkel, ndaj tani duhet krijuar sa më shpejt një qeveri e qëndrueshme”, citohet të ketë thënë ai.

Partia liberale “FDP” është për një linjë kursimi në Eurozonë dhe politika më të rrepta ndaj refugjatëve. Të gjelbrit gjithashtu pritet të paraqesin kërkesa më të ashpra se ekzekutivi i deritanishëm gjerman.

Qeveria e gjelbër, sipas eurodeputetit Sven Giegold do të thotë më shumë mbrojtje të klimës, por edhe vëmendje më të madhe te temat e pabarazisë sociale, Europës, politikës së tregtisë dhe refugjatëve.

Pavarësisht kësaj, linja e përgjithshme me shumë gjasë do të jetë e njëjta, ose të paktën Brukseli këtë shpreson. Juncker, ndërkohë, u shpreh i shqetësuar nga hyrja për të parën herë në Parlamentin gjerman të populistëve të djathtë.

Merkel vet mendon se prania e “AfD”-së në Bundestag nuk do të ketë ndikim të madh në politikën e jashtme, në atë europiane, apo në çështjet e refugjatëve.

“Alternativa për Gjermaninë” zuri vendin e tretë në zgjedhje, pas një fushate që u përqëndrua te kritikat e ashpra ndaj Kancelares dhe vendimit të saj për të pranuar një numër të madh refugjatësh. Të gjitha partitë e tjera e kanë refuzuar bashkëpunimin me të.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta