
Dhjetëra dijetarë konservatorë katolikë kanë akuzuar Papa Françeskun se po bëhet përhapës i herezive, një përpjekje e guximshme, por me të gjitha gjasat e kotë, për të goditur Atin e Shenjtë argjentinas dhe Papatin e tij reformues.
Letra e ngarkuar teologjikisht i është dorëzuar Atit të Shenjtë më 11 gusht, me 40 firma, e që prej atëherë është nënshkruar edhe nga 22 persona të tjerë, përpara se të bëhej publike këtë fundjavë.
Në deklaratën për shtyp të lëshuar më vonë, organizatorët pretendojnë se flasin “në emër të një numri të madh” klerikësh, të cilëve “u mungon e drejta e fjalës”.
Letra nuk e akuzon Papën vet si heretik, por për mbështetjen e pozicioneve heretike mbi martesën, moralin dhe Eukaristinë.
“Vet ligjet e Kishës e kërkojnë që personat kompetentë të mos heshtin, kur pastorët çorientojnë grigjën e besimtarëve”, thuhet aty. Në mënyrë specifike, ankesat ndaj Papa Françeskut i referohen promovimit të 7 herezive, e sidomos lëvizjes së tij për të lejuar që katolikë të divorcuar e të martuar përsëri të marrin kungim.
“Skandale që kanë të bëjnë me besimin dhe moralin kanë pllakosur kishën dhe të gjithë botën”, shkruajnë firmëtarët, të cilët e përshkruajnë letrën si akt të paprecedentë që prej vitit 1333, e që bën epokë.
Top Channel