Itali, aksion anti-mafie; në pranga edhe një kryetar bashkie

26/09/2017 00:00

Karabinierët në Itali kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit urdhër-arrestet në ngarkim të 27 personave, të konsideruar anëtarë të mafias kalabreze, e infiltruar në klasën politike dhe atë sipërmarrëse në veri të vendit fqinj.

Sipas raportimeve të mediave italiane, operacioni i Prokurorisë Rajonale të Antimafias është shtrirë në Milano, Monza, Pavia, Komo dhe në rajonin e Kalabrisë.

Nga të arrestuarit 21 kanë përfunduar në burg, 3 në arrest shtëpie dhe 3 do të procedohen në gjendje të lirë. Mes tyre figuron edhe një kryetar bashkie, Edoardo Mazza, i lokalitetit Serenjo.

Personat në fjalë akuzohen për krime të rënda si pjesëmarrje në organizatë mafioze, zhvatje parash, armëmbajtje pa leje, dhunime, trafik droge.

Ndërsa ndaj kryebashkiakut Mazza rëndojnë akuzat e korrupsionit, favorizimit të sipërmarrjeve të klaneve në këmbim të mbledhjes së votave dhe përdorim të sekretit zyrtar në mbështetje të organizatës kriminale.

Në një nga përgjimet e kryera nga forcat e rendit, kryebashkiaku i premtonte besnikëri bosit të mafias që kishte mundësuar zgjedhjen e tij. “Çdo premtim është një detyrim, apo jo?” i thoshte Mazza bosit.

Ndër aferat e fundit mes palëve ishte leja për ndërtimin e një supermarketi në qytetin e Monzës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta