
Tre izraelitë u qëlluan për vdekje nga një palestinez, në hyrjen e një kolonije hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Agresori, një 37-vjeçar që jetonte në një fshat aty pranë, është qëlluar më pas për vdekje nga forcat e sigurisë. Policia thotë se palestinezi e ka nxjerrë armën kur po hynte në pikën “Har Adar”, bashkë me punëtorë të tjerë dhe ka hapur zjarr mbi rojet.
“Ka qëlluar mbi njerëzit që kishte rrotull. Ata që patën kontakt me të i kontrolluan dokumentet dhe po merreshin me verifikimet. Ishte reagimi i shpejtë i një policeje dhe një efektivi tjetër, që shtinë mbi agresorin duke e vrarë në vend, e duke i dhënë fund me kaq incidentit, përndryshe mund ta kishte zgjeruar misionin e tij vdekjeprurës”, tha Roni Elsheich, shef i policisë izraelite.
Ky është më i fundit i një serie sulmesh mbi izraelitët, të kryera më së shumti nga palestinezë apo arabë izraelitë, prej gati dy vitesh. Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për ngjarjen, edhe pse grupi militant i Hamasit, i vendosur në Gaza, e mirëpriti goditjen së bashku me xhihadin islamik.
Që prej tetorit të vitit 2015, të paktën 50 izraelitë dhe 5 shtetas të huaj kanë gjetur vdekjen nga sulmet me thikë, të shtëna apo atentatet me përplasje makinash. Përgjatë të njëjtës periudhe kohe janë vrarë më shumë se 255 palestinezë, shumica agresorë.
Top Channel