Nis rikonstruksioni i plotë i “Dora d’Istria”, Veliaj inspekton punimet

25/09/2017 00:00

Shkolla “Dora D’Istria” i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të saj, një investim i Bashkisë së Tiranë i cili në projekt përfshin edhe shtimin e 11 klasave të reja. Dikur nxënës i saj ka qenë edhe vetë kryebashkiaku Veliaj.

“Më vjen mirë që tek ish-shkolla ime, që dikur mbante emrin “20-Vjetori”, sot “Dora d’Istria”, po bëjmë jo vetëm një rikonstruksion total të godinës, por po shtojmë edhe 11 klasa të reja për të futur konceptin parashkollor dhe për t’i dhënë fund mësimit me dy turne”, tha Veliaj.

Shmangia e mësimit me dy turne është synimi i Veliajt brenda këtij mandati. “U kërkoj mirëkuptim prindërve, që teksa po bëjmë mësim në shkollat alternative, se në një periudhë prej pak muajsh do të kemi totalisht të rikonstruktuar shkollën ekzistuese, plus klasat e reja, që zgjidhin të gjithë këtë anomali që kemi pasur në njësinë 10. Ashtu si edhe në njësinë 8, edhe në disa njësi të tjera në Tiranë i kemi dhënë fund mësimit me dy turne dhe gradualisht në të 24 njësitë do të vazhdojmë me këtë ritëm për t’u siguruar që fundi i këtij mandati të na gjejë të sistemuar”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh i bindur se edhe ky projekt do të jetë një sukses sikurse të gjitha investimet e mëparshme të bëra nga ana e bashkisë.

“Jam disa herë i lumtur që jam këtu sot. Së pari sepse kemi pasur një muaj fantastik si shtatori, ku kemi hapur shkolla të reja, kemi mbaruar investime në shkollat ekzistuese, është çliruar nga fluksi Kombinati, Bregu i Lumit, Pazari i Ri, pra disa nga lagjet problematike. Gjithashtu, shkollat elitare kombëtare si Liceu Artistik apo Shkolla e Baletit dolën projekte të suksesshme”, tha Veliaj.

11 klasat e reja ëe do të hapen janë projektuar të jenë pjesë e një godine të re që do të ndërtohet në oborrin e shkollës. Gjithashtu, në plan është edhe pajisja e të gjitha ambjenteve me ngrohje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA