Kufizimet e udhëtimeve në SHBA, në listë Koreja e Veriut e Venezuela

25/09/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e zgjeruan vendimin polemizues të ndalimit të udhëtimit, duke përfshirë në variantin e fundit të tij edhe qytetarët nga Koreja e Veriut, Venezuela dhe Çadi.

Shtëpia e Bardhë pretendon se kufizimet e reja janë pasojë e një rishikimi të informacioneve të ofruara nga qeveri të huaja.

Donald Trump nxori një deklaratë të dielën mbrëma, ku shpjegonte edhe njëherë se motoja e tij “Ta bëjmë Amerikën të sigurtë” vazhdon të mbetet prioriteti numër një i presidentit amerikan.

“Nuk mund të pranojmë në vendin tonë persona që nuk mund të verifikohen në mënyrë të sigurtë”, ishte komenti i tij.

Sidoqoftë ka një përjashtim. Ndalimi për venezuelianët prek vetëm zyrtarët qeveritarë dhe familjarët e tyre. Tre vendet e reja në “listën e zezë” të udhëtimit iu bashkohen 5 ekzistueseve: Iranit, Libisë, Sirisë, Jemenit dhe Somalisë.

Deklarata e re, ndërkohë, e çliron nga kufizimet Sudanin. Urdhri i parë i Trumpit shkaktoi debate të nxehta në mbarë vendin e jashtë tij, e duke qenë se prekte 6 vende me shumicë myslimane nuk ishte e çuditshme që mori gjerësisht etiketimin “ndalim për myslimanët”.

Lëvizja e shefit të Shtëpisë së Bardhë u bë subjekt i një sërë sfidave ligjore dhe protestave në shkallë të gjerë, e tani fjalën e fundit mbi çështjen nevralgjike pritet ta thotë Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara në muajin tetor.

Gjatë korrikut, urdhri u rikthye pjesërisht në fuqi. Sipas grupit të të drejtave të njeriut, Unioni i Lirive Qytetare të Amerikës, zgjerimi i listës me vende të reja nuk e ndryshon faktin që urdhri i administratës, në thelb vazhdon të mbetet një ndalim për myslimanët.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta