
Suksesi i “Alternativës për Gjermaninë” (AfD) tronditi nga themelet elitën politike të Gjermanisë dhe shënoi një pikë kthese për vendin. Populistët e djathtë arritën për të parën herë të hyjnë në Parlament. Merkel humbi elektorat dhe socialdemokratët patën gjithashtu një nivel të ulët historik, me 20.8% të votave.
“AfD”-ja e ktheu në kapital të vetin gjatë fushatës, vendimin e shumëkundërshtuar të Merkelit për hapjen e kufijve ndaj refugjatëve në vitin 2015, e tani deklaron triumfuese se do të luftojë kundër “pushtimit të vendit nga të huajt”.
“Ne duam një politikë tjetër. Një milion vetë, të gjithë të huaj, u sollën këtu dhe i shkulin një pjesë këtij vendi. ‘AfD’-ja këtë nuk e do. Ne nuk duam ta humbasim Gjermaninë nga pushtimi i të huajve të një kulture tjetër. Kaq e thjeshtë është e gjitha”, tha Alexandre Gauland.
Gauland, bashkudhëheqës i partisë nacionaliste, është i bindur se “AfD”-së iu dhanë votat që ta zgjidhë çështjen e emigrantëve “pa kompromis”.
Por, edhe vet brenda partisë anti-Islam, mosmarrëveshjet nuk janë të vogla, e ato u shpërfaqën qartë kur një tjetër drejtuese e saj, Frauke Petry deklaroi në të njëjtën konferencë shtypi se, nuk do të bëhet pjesë e grupit parlamentar, edhe pse e ka fituar vendin në Bundestag.
Pas këtij komenti, Petry u largua papritmas nga salla, duke i lënë të çuditur edhe udhëheqësit e tjerë.
Top Channel