Edhe qentë shtëpiakë me pasaportë dhe GPS

25/09/2017 00:00

Një bazë të dhënash, që do të menaxhohet nga Shërbimi Veterinar, do t’u japë mundësi autoriteteve të monitorojnë të gjithë qentë shtëpiake në të gjithë vendin, që nga vendndodhja, vaksinimi i tyre, sjellja e egër, apo sëmundjet që mund të kenë.

Çdo qytetar, që ka apo kërkon të adoptojë ose blejë një qen, do të duhet të ndjekë disa hapa te veterineri për regjistrimin e qenit të tij.

“Qytetari është i detyruar të ketë pasaportën e shëndetit, ndërkohë që qeni duhet të jetë i pajisur me mikroçip. Do të regjistrohet në bazën kombëtare të të dhënave, e Shërbimi Kombëtar Veterinar do të jetë i mirëinformuar se me çfarë race kemi të bëjmë, adresën ku ndodhet etj.”, tha Edi Fero.

Krijimi i bazës së të dhënave ka gjithashtu si qëllim të evitojë incidentet me qentë agresivë. Sipas projektligjit, të gjitha racat e qenve do të konsiderohen me potencial rreziku, edhe pse nga informacionet e deritanishme, Ministria e Bujqësisë ka listuar 4 raca si më të rrezikshmet: Dogo Argentino, Fila Brasileiro, Japanese Tosa, Pit Bull Terrier.

Kohët e fundit, këto raca janë përhapur edhe në vendin tonë, kryesisht në Tiranë, ku aktualisht sipas të dhënave, familjet zotërojnë 5.000 qen shtëpiakë.

Vendosja e çipit në trupin e kafshës do të bëhet te veterineri dhe ky i fundit raporton më pas të gjitha të dhënat në bazën e të dhënave të Shërbimit Veterinar, përfshirë edhe rastet kur kafsha është shfaqur agresive.

“Do të kemi një lloj monitorimi se ku ndodhen dhe në çfarë situate ndodhen. Nuk do të lejohet në asnjë mënyrë shëtitja e këtyre kafshëve në ambiente publike, nëse këto kafshë nuk janë të pajisura me maskën përkatëse dhe nëse nuk janë të shoqëruar nga persona mbi 16 vjeç”, tha më tej Edi Fero.

Moszbatimi i rregullave të reja do të sanksionohet me gjobë, që mund të nisë nga 50 mijë lekë apo më lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA