Kina izolon Korenë, kufizon furnizimin me naftë

23/09/2017 00:00

Kina, aleatja më e madhe e Koresë së Veriut, ka kufizuar furnizimin e saj me naftë e do të reshtë së bleri tekstile nga vendi i izoluar politikisht.

Pekini është partneri më i rëndësishëm tregtar i Penianit dhe një prej burimeve të vetme të tij për monedhën rezistente ndaj zhvlerësimit. Me këtë veprim, Kina praktikisht i heq veriut komunist dy mundësi të mëdha ekonomike: bllokada e tekstileve cenon të ardhurat e Penianit dhe pa eksportet kineze të naftës, vendi do të ketë probleme të ndjeshme sa i takon furnizimit me karburant.

Sanksionet me të cilat po pajtohet dhe kina, u vendosen nga OKB-ja pas testit të fundit nuklear që solli në një ashpërsim të ndjeshëm të retorikave me presidentin amerikan Donald Trump.

Ato kulmuan me kërcënimin e hapur që shefi i Shtëpisë së Bardhë lëshoi gjatë fjalimit debutues në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kur tha se do ta shkatërronte fare shtetin komunist nëse në ndonjë moment, rrezikohej Amerika dhe aleatët.

Një deklaratë e ministrisë kineze të Tregtisë sqaronte se kufizimet mbi naftën e përpunuar dhe nënproduktet e saj do të hyjnë në fuqi duke nisur nga 1 tetori, ndërsa ato të gazit natyror të lëngshëm, do të aplikohen menjëherë.

Një sasi e vogël do të vazhdojë të eksportohet sidoqoftë, aq sa lejon rezoluta e Këshillit të Sigurimit. Nuk dihet ende me saktësi sesa është niveli tregtar mes dy vendeve dhe sa reduktohet ai nga masat e reja, por embargoja e tekstileve që përbëjnë eksportin e dytë më të madh të Koresë së Veriut, pritet t’i kushtojë asaj mbi $700milionë dollarë në vit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta