Këndi i ri i lojërave, Veliaj: Kthyem një ferrishte në një xhevahir

23/09/2017 00:00

Tiranës i shtohet një tjetër hapësirë publike për lojëra dhe për t’u çlodhur .Kryetari i bashkisë përuroi përfundimin e këndit të lojërave në krah të Piramidës.

“Kemi përuruar disa nga këndet e lodrave që kemi bërë nëpër Tiranë, por ky është pa dyshim një nga më të bukurit. Ndodhet në pjesën më të rëndësishme të qytetit, mbrapa Piramidës, një ndërtesë ikonë e Tiranës. Por, harrojmë se përveç bankës, Piramidës, qeverisë, këtu ka edhe banorë, edhe njerëz të grupmoshave të ndryshme, por sidomos fëmijët që nuk janë në marrëdhënie pune as në bankë, as në qeveri, as tek piramida apo të moshuarit që janë në pension, nuk e kanë hapësirën e tyre në këtë komunitet që ka kaq shumë jetë. Ndaj më në fund edhe kjo pjesë e komunitetit që nuk është në punë, pra fëmijët dhe pensionistët, kanë një ambient fantastik. Kemi transformuar një ferrishte, një zonë totalisht të zaptuar nga mbeturinat duke e kthyer në një xhevahir urban të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.

Veliaj premtoi se së shpejti nis puna për shndërrimin e Piramidës në qendër kulturore për të rinjtë.

“Kemi filluar ndërhyrjet nga jashtë për ta transformuar Piramidën edhe nga brenda në një qendër të madhe kulturore, kryesisht me fokus të rinjtë, për ata që duan të merren me teknologjinë e informacionit, që duan të merren me art, me libra, kinematografi, teatër. Arkitekti i njohur Winy Maas, i cili ka bërë disa nga kryevepra në botë, i është bashkuar ekipit tonë për ta sjellë në platformën finale propozimin për transformimin e Piramidës. Nga një “vrimë e zezë” si nga jashtë edhe nga brenda, Piramida do të kthehet në një burim energjie”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Numërohen gjithsej 24 kënde lojërash për fëmijë të ndërtuar në Tiranë, por kryetari i bashkisë kërkoi nga qytetarët që të mirëmbajnë investimet  që bëhen në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA