
Bilanci i vdekjeve nga tërmeti i dytë brenda muajit që tronditi Meksikën ka mbërritur në 273, e sërish mund të mos jetë ai përfundimtari.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë ethshëm nëpër gërmadha për të mbijetuar. Besohet se vetëm në Mexico City ka të paktën 10 ndërtesa, nën të cilat gjenden ende njerëz të bllokuar. Numri i ri i vdekjeve u njoftua nga zyra e presidentit dhe shefi i Emergjencave Civile.
Ndërsa operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e tretë, një pjesë e madhe e vëmendjes vazhdon të mbetet e përqëndruar te shkolla “Enrique Rébsamen” në kryeqytet, ku gjatë natës u nxor trupi i pajetë i një mësueje.
Më shumë se 500 trupa ushtarake dhe 200 oficerë policie e vullnetarë kanë punuar pa reshtur në atë zonë, e përpjekjet e tyre u shpërblyen me nxjerrjen e 11 fëmijëve të gjallë. Fatkeqësisht, 19 të mitur të tjerë dhe 6 të rritur vdiqën nga shembja e shkollës.
Mësohet ndërkohë se Frida Sofia, vajza 12-vjeçare që rrëmbeu zemrën e kombit pasi u raportua e ngecur nën gërmadha, nga ku thërriste “kam etje, jam mirë, por ju jutem mos u vononi”, nuk ka ekzistuar kurrë.
Autoritetet konfirmuan se historia e Fridës, e raportuar fillimisht nga gazeta vendase “El Universal” ishte e rreme dhe kërkuan ndjesë për raportet kontradiktore. Përpjekjet e shpëtimit kryesohen nga ekipe kërkuesish elitë, të njohur ndryshe edhe si “urithët”, një grup specialistësh i krijuar pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985, që vrau 10 mijë vetë. Pak javë më parë, një tjetër tërmet i fuqishëm la të paktën 90 të vdekur në jug të Meksikës.
Top Channel