Kim Jong-un kërcënon Trump: Do ta paguash shtrenjtë

22/09/2017 00:00

Të enjten, reagimi fillestar i Koresë së Veriut ndaj fjalimit të Donald Trump në OKB erdhi nga ministri i Jashtëm koreano-verior, i cili e krahasoi fjalën e presidentit amerikan me të lehurën e një qeni.

Tani është vet udhëheqësi i regjimit të pashtruar komunist, Kim Jong-un, që i përgjigjet paralajmërimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë po me një paralajmërim.

Në një deklaratë të rrallë personale, përmes medias shtetërore, Kim u shpreh se Trump do ta paguajë shtrenjtë kërcënimin e lëshuar në OKB.

“Komentet e Trump, në vend që të më frikësojnë apo të më ndalojnë, më bindën se rruga që kam zgjedhur është ajo e duhura dhe se duhet të vazhdoj ta ndjek deri në fund. Tani që ai mohoi ekzistencën dhe më ofendoi mua e vendin tim në sytë e të gjithë botës, e bëri deklaratën më të egër të luftës në histori, Koreja e Veriut do të marrë në konsideratë nivelin më të lartë të masave të rënda për ta bërë të paguajë për fjalët e tij”, tha Kim Jong-un.

Kim e mbylli deklaratën duke thënë se, “me zjarr”, do ta zbusë pa asnjë dyshim “matufin amerikan të luajtur mendsh”.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump deklaroi se Amerika do ta shkatërronte krejtësisht Veriun komunist, nëse do të kërcënohej prej tij, ajo vet apo edhe aleatët e saj.

Shefi i diplomacisë koreano-veriore, Ri Yong-ho paralajmëroi se Peniani mund të testojë një bombë me hidrogjen në oqeanin Paqësor. “Ka për të qenë shpërthimi më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Paqësor”, citohet të ketë thënë ai, ndërsa shtoi se, nuk e di sidoqoftë me saktësi çfarë veprimesh do të ndërmerren, pasi urdhrin e jep Kim Jong-un.

Top Channel