
Dy shtetas grekë u arrestuan gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, duke transportuar hashash në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Atyre iu gjetën në makinë 107 kilogramë drogë e llojit kanabis.
Në deklarimin e tyre në polici, dy grekët thanë se ishin të papunë ndaj dhe kishin pranuar ofertën e një shqiptari që të transportonin hashashin për në Athinë në këmbim të shumës prej 2 mijë euro.
Ata e ngarkuan lëndën narkotike në kufirin e gjelbër mes dy vendeve dhe në vazhdim iu drejtuan aksit që lidh kufirin me Filatin. Por agjentët kishin informacion për transportin e lëndës narkotike dhe mundën të ndalojnë automjetin e trafikantëve në hyrje të qytezës.
Policia ka shpallur në kërkim shtetasin shqiptar dhe dy bashkatdhetarë të tij, të dyshuar si anëtarë të një organizate të trafikut të drogës, por deri tani nuk është bërë e mundur të arrestohet asnjë prej porositësve të mallit.
Ndërkohë, argumentat e dy të arrestuarve duket se nuk kanë bindur gjykatësin e Igumenicës, i cili vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Top Channel